Bota

U mbyllën pa përparim bisedimet Rusi-SHBA për marrëveshjen e paqes në Ukrainë!

Pesë orë negociata mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe përfaqësuesve të lartë amerikanë nuk sollën përparim drejt një marrëveshjeje të mundshme paqeje për Ukrainën, siç bëri të ditur sot një këshilltar i Kremlinit.

I dërguari special i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dje zhvilluan një takim të nivelit të lartë me Putinin në Kremlin, në kuadër të një jave intensive diplomacie nga administrata amerikane për të gjetur rrugëdalje nga konflikti i zgjatur në Ukrainë.

Sipas këshilltarit të politikës së jashtme të presidentit rus, Yuri Ushakov, bisedimet ishin të dobishme, konstruktive dhe shumë thelbësore, por nuk prodhuan një kompromis.

Disa nga propozimet amerikane janë potencialisht të pranueshme, megjithëse kërkojnë diskutime të mëtejshme. Të tjera nuk përputhen me qëndrimet tona. Procesi negociator do të vazhdojë.

Çështjet kryesore që vijojnë të pengojnë përparimin lidhen me kërkesat ruse që Ukraina të heqë dorë zyrtarisht nga synimi për anëtarësim në NATO dhe të dorëzojë territor në rajonin e Donbasit, zonë e aneksuar pjesërisht nga Rusia.

Administrata amerikane ende nuk ka bërë komente pas takimit, megjithëse para bisedimeve Shtëpia e Bardhë ishte shprehur “shumë optimiste” për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, sipas sekretares së shtypit, Karoline Leavitt.

Ushakov bëri të ditur se një takim i mundshëm mes Putin-it e presidentit Trump nuk ishte planifikuar dhe se zhvillimi i tij do të varet nga progresi i negociatave.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase refuzuan kërkesat maksimaliste të Kremlinit, që Moska i konsideron “vija të kuqe”. Ushakov konfirmoi se në bisedime u trajtuan edhe çështjet territoriale, të cilat ai i cilësoi thelbësore për një zgjidhje të mundshme.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se pret të komunikojë me delegacionin amerikan pas takimit të tyre në Moskë dhe se është “në pritje të sinjaleve” mbi rezultatin e bisedimeve.

Vetëm pak orë para takimit, Putin deklaroi se Rusia nuk synon një konflikt me Evropën, por është “gati të përgjigjet” nëse një luftë e tillë nis nga ana evropiane. Ai akuzoi disa udhëheqës evropianë se po përpiqen të pengojnë propozimin amerikan të paqes duke paraqitur kërkesa “tërësisht të papranueshme” për Rusinë, duke i cilësuar disa prej aleatëve evropianë të Ukrainës si “në anën e luftës”.