Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta sot paraqitet në Prokurorinë e Posaçme në orën 10:00 për të dhënë deklarime mbi hetimet për 21 Janarin. Meta u thirr një ditë më parë nga SPAK-u, pas kërkesës që ai vetë kishte drejtuar për t’u shprehur për vrasjet e rreth 15 viteve më parë.
Në kërkesën e tij, Ilir Meta kërkoi të merret në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethana dhe fakte konkrete që lidhen me protestën e dhunshme të 21 Janarit, ku mbetën të vrarë katër qytetarë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kërkesa iu drejtua specifikisht prokurorit Shehu, i cili po heton dosjen e rihapur të kësaj ngjarjeje.
Për këtë ngjarje SPAK ka marrë në pyetje ish-zyrtarë të lartë të Policisë, Gardës, ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, ish-presidentin Bamir Topi, ish-kryeministrin Sali Berisha, etj.
Hetimet për 21 Janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekade kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre, ndërsa është e vetmja vrasje pa autor. Në vitin 2020, Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet për vrasjen e Aleks Nikës që kishte mbetur pa autorë, për t’i rihapur më 2021-shin. Familja e Aleks Nikës ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje t’i kalonte për hetim SPAK-ut, që nuk pranonte të hetonte një çështje e cila po hetohej njëkohësisht edhe nga Prokuroria e Tiranës.
Më 14 nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se “21 Janari ishte krim shtetëror” dhe duhet të hetohet si i tillë nga drejtësia shqiptare. Strasburgu vendosi që për çështjen e Aleks Nikës t’i hapej rrugë hetimit të munguar. Me anë të këtij vendimi, familja Nika iu drejtua Gjykatës së Lartë.
Pas një viti, Gjykata e Lartë doli me një vendim ku urdhëroi SPAK-un të regjistronte kallëzimin e familjes Nika e të niste hetimet.