Sot në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump do të zhvillojë një takim të rëndësishëm me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky, në një moment kyç për marrëdhëniet Amerikë-Ukrainë dhe dinamikat e luftës në Ukrainë. Takimi vjen pas një telefonate të cilësuar si “shumë produktive” mes Trumpit e presidentit rus Vladimir Putin. Ata planifikuan një takim në Budapest, brenda dy javëve.
Në qendër të bisedimeve mes Trumpit dhe Zelenskyt pritet të jetë kërkesa e Ukrainës për furnizim me raketa lundrimi Tomahawk, të afta për të goditur objektiva strategjike brenda territorit rus. Kievi i konsideron vendimtare për të ndryshuar balancat në frontin lindor.
Takimi i planifikuar Trump-Zelensky do të zhvillohet në mbrëmje me orën tonë.
BBC shkruan se në vizitën e tij të tretë në SHBA që nga janari, Zelensky ka paralajmëruar se po përgatit një padi kundër Shteteve të Bashkuara për refuzimin e furnizimit me Tomahawk, duke sugjeruar se hezitimi i Shtëpisë së Bardhë mund të jetë ndikuar nga dialogu Trump-Putin.
Ai ka theksuar se kërcënimi i përdorimit të raketave ka nxitur Moskën të rifillojë dialogun diplomatik. Ndërkohë, Trump ka shprehur interes për një zgjidhje diplomatike të konfliktit, duke ndjekur modelin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza që ndërmjetësoi javën e kaluar.
Ai ka deklaruar se dëshiron takime “të ndara, por të barabarta” me liderët e Rusisë dhe Ukrainës, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Zelensky ka shfaqur shpresën që suksesi diplomatik në Lindjen e Mesme të shërbejë si precedent për përfundimin e luftës në Ukrainë. Pritet të takohet edhe me përfaqësues të industrisë amerikane të mbrojtjes për të diskutuar furnizime shtesë të sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Rezultatet e bisedimeve të sotme mund të ndikojnë jo vetëm në furnizimet ushtarake, por edhe në ecurinë e përpjekjeve për paqe në rajon.