Në ditën e tij të dytë në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u përpoq të ulte shqetësimet dhe të përcaktonte fokusin:
Ukraina dhe siguria, mbeten qendra e gravitetit të politikës transatlantike të Uashingtonit.
Edhe pse gjatë fjalimit në konferencë shmangu përmendjen e drejtpërdrejtë të Ukrainës, kjo rezultoi afatshkurtër. Sapo nisi sesioni i pyetjeve, lufta, si edhe roli i Shteteve të Bashkuara në ndërmjetësimin e përfundimit të saj, kaluan në plan të parë.
Ky fokus u vu në pah në një intervistë për Bloomberg TV, menjëherë pas fjalimit të tij, ku Marco Rubio dha vlerësimin më të qartë deri më tani për mënyrën se si konflikti mund të shkojë drejt përfundimit.
Zyrtari i lartë deklaroi se nuk pret që lufta të përfundojë me atë që shumë do ta konsideronin një “humbje tradicionale” për njërën palë, duke argumentuar se “Rusia ka pak gjasa të arrijë objektivat fillestare të luftës”.
Në vend të kësaj, sugjeroi se ambiciet e Moskës janë ngushtuar në konsolidimin e rreth 20% të rajonit të Donjeckut që ende nuk e kontrollon, një synim që, sipas tij, do të kërkonte lëshime “të vështira” nga Kievi, si në aspektin taktik ashtu edhe në atë politik.
Gjetja e një formule të pranueshme për Ukrainën dhe për Rusinë, mbetet sfida kryesore. Mund të mos funksionojë, paralajmëroi kryediplomati Rubio, megjithëse theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ushtrojnë presion për arritjen e një marrëveshjeje.
Ai vuri në dukje shenja të përparimit në javët e fundit dhe theksoi se negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të rifillojnë bisedimet në ditët në vijim.
Në takimet që pati, Rubio përsëriti angazhimin e SHBA-ve mbi promovimin e stabilitetit në Venezuelë dhe për përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë, përmes negocimit, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott, ndërsa ministrat u zotuan për koordinim më të ngushtë të G7-ës kundër një sërë kërcënimesh globale.
Në kuadër të konferencës, Rubio u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Takimi zgjati rreth 40 minuta. Përmes një deklarate të publikuar në Telegram, Zelensky bërit të ditur se e informoi Rubion për “situatën në vijat e frontit, sulmet e vazhdueshme ruse dhe pasojat e sulmeve ndaj sistemit të energjisë”.