Bota

Ultimatumi i Trumpit për Hamasin: Keni 3-4 ditë kohë për t’u përgjigjur, nëse refuzoni…

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të qartë se grupi palestinez Hamas ka në dispozicion vetëm tre deri në katër ditë për të dhënë përgjigje mbi planin e propozuar nga Uashingtoni për përfundimin e luftës në Rripin e Gazës.

Sipas Trump, hapësira për negociata është shumë e kufizuar, pasi kërkesat kryesore mbeten të pandryshueshme: lirimi i të gjithë pengjeve dhe respektimi i një “sjelljeje të mirë” nga ana e Hamasit.

“Po presim përgjigjen e Hamasit”, deklaroi Trump, duke nënvizuar se propozimi nuk lejon shumë ndryshime apo modifikime.

Ai paralajmëroi gjithashtu se, nëse Hamas e refuzon planin, atëherë SHBA do t’i japë Izraelit “dorë të lirë për të vepruar siç e sheh të arsyeshme”.

Hamas tregon qëndrim pozitiv ndaj planit amerikan

Ndërkohë, sipas burimeve të “CBS News”, Hamas dhe grupe të tjera palestineze po e shqyrtojnë me qëndrim pozitiv planin e Trump dhe pritet t’ua paraqesin përgjigjen e tyre ndërmjetësuesve egjiptianë dhe katarias më të mërkurën.

Plani i paraqitur nga Trump në Shtëpinë e Bardhë, në prani të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, përbëhet nga 20 pika dhe përfshin:

Një armëpushim të menjëhershëm në Gaza,

Lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura,

Shkëmbimin me një numër të të burgosurve palestinezë që ndodhen në burgjet izraelite,

Shtimin e ndihmës humanitare,

Kalimin e kontrollit të Gazës tek një administratë kalimtare palestineze me përbërje teknokrate.

Kjo administratë do të mbikëqyret nga një “Këshill Ndërkombëtar i Paqes”, me në krye vetë presidentin Trump dhe me pjesëmarrjen e ish-kryeministrit britanik Tony Blair.

Burime diplomatike bëjnë të ditur se ndërmjetësuesit egjiptianë dhe katarias u kanë dorëzuar tashmë një kopje të planit përfaqësuesve të Hamasit. Plani parashikon gjithashtu që Izraeli të ruajë kontrollin e sigurisë në kufijtë e Gazës.