Ikona e muzikës Cher tërhoqi gjithë vëmendjen teksa mbërriti në Hollywood Roosevelt Hotel për të marrë pjesë në dasmën e djalit të saj, Chaz Bono. Por ajo që bëri më shumë përshtypje ishte bizhuteria e saj luksoze, veçanërisht një unazë diamanti që dukej si rreth pesë karatë në gishtin e majtë.
79-vjeçarja u pa gjithashtu me një tjetër unazë të madhe diamanti, duke nxitur menjëherë spekulime nëse është fejuar me partnerin e saj, Alexander ‘A.E.’ Edwards. Çifti, i cili ka një diferencë moshe prej rreth 40 vitesh, kanë qenë në një lidhje me ndërprerje që nga viti 2022.
Megjithatë, përfaqësuesit e këngëtares nuk kanë komentuar mbi statusin e marrëdhënies së tyre.
Cher mbërriti në ceremoninë e mbajtur në hotelin historik me një veshje të thjeshtë, por plot shkëlqim: një hoodie të zezë me yje, një bluzë rozë dhe pantallona cargo me shkëlqim, të kombinuara me një çantë elegante.
Ceremonia ishte një moment i veçantë për familjen, pasi Chaz Bono u martua me partneren e tij prej nëntë vitesh, Shara Blue Mathes, në një ceremoni romantike të dekoruar me trëndafila të kuq.
Chaz është djali i Cher dhe të ndjerit Sonny Bono, i cili humbi jetën në vitin 1998 pas një aksidenti gjatë skijimit. Cher dhe Sonny u divorcuan në vitin 1975 pas tetë vitesh martesë.
Ndërkohë, këngëtarja vazhdon të mbetet një nga figurat më të mëdha të muzikës, me mbi 100 milionë disqe të shitura në karrierën e saj solo dhe miliona të tjera si pjesë e duos legjendare Sonny & Cher.