Rajoni

‘Jemi me ju’, Partia Demokratike e Kosovës mbështet protestën e studentëve shqiptarë për gjuhën shqipe në Shkup!

Protesta e paralajmëruar nga studentët shqiptarë në Maqedonia e Veriut për të drejtën e zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka marrë mbështetje edhe nga Bedri Hamza. Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër reagoi një ditë para protestës së 18 majit në Shkup, duke theksuar se kërkesa e studentëve lidhet me mbrojtjen e identitetit dhe të drejtave të shqiptarëve.

“Zëri i studentëve shqiptarë në Shkup nesër është zëri i një brezi që kërkon respekt, barazi dhe dinjitet për identitetin e vet kombëtar. Jam gjithmonë pranë çdo të riu shqiptar që ngrihet për të mbrojtur gjuhën, identitetin dhe të drejtat e tij. Jemi me ju”, deklaroi ai.

Studentët shqiptarë do të protestojnë të hënën në orën 16:30 para Urës së Gurit në Shkup, duke kërkuar njëzëri ë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Protesta vjen pas pakënaqësive të shumta dhe demonstratës së mbajtur më 6 prill, ku mijëra qytetarë kërkuan respektimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në vend.

Protesta, e dyta e llojit të vet, vjen pas një periudhe të gjatë pakënaqësish dhe iniciativash studentore për respektimin e të drejtave gjuhësore dhe mundësimin e provimit në gjuhën shqipe. Më 6 prill 2026 në Shkup, mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë dolën në zemër të Shkupit dhe kërkuan respektimin e të drejtësisë tyre, çka nxiti kryeministrin Hristijan Mickoski të deklaronte nxitimthi se qeveria e tij po punonte për një zgjidhje dhe shumë shpejt do të kishte një propozim konkret.

Ndërkaq, Bilall Kasami, bashkëkryetar i partisë VLEN tha për Portalb.mk se janë të angazhuar për ta zgjidhur këtë problem, por pa dhënë afat kohor se kur.

“Jemi duke analizuar zgjidhjen e këtij problemi, nuk është i thjeshtë është problemi pak më kompleks sepse nuk bëhet fjalë vetëm për provimin e jurisprudencës, por bëhet fjalë për një sërë provimesh që jepen për përgatitje profesionale, bëhet fjalë për provimin e avokatëve, kontabilistëve, noterëve, pra të gjitha profesionet që kanë provim profesional do duhet që kjo çështje të rregullohet që ai të mbahet në gjuhën amtare”, tha Kasami.

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe bëri bujë të madhe kur 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe

Çfarë thotë ligji për provimin e Jurisprudencës?

Sipas mediave në Maqedoni, në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase. Neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të detyruara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Por kjo kërkesë deri tani ka hasur në vesh të shurdhër sipas mediave.