Kokoshkat janë një nga ushqimet e preferuara si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit krokante, të shijshme dhe perfekte për çdo rast.
Por, sipas pediatërve, ky snack i pafajshëm mund të përbëjë rrezik serioz për fëmijët nën moshën 4 vjeç, për shkak të mundësisë së lartë për mbytje.
Mjekët paralajmërojnë fuqimisht që fëmijëve të vegjël t’u shmangen kokoshkat, pasi kokrrat mund të bllokojnë rrugët e frymëmarrjes ose të përfundojnë në mushkëri.
Në vitin 2019, një rast i bërë publik nga USA Today tregoi historinë e një nëne tre fëmijësh, djali 2-vjeçar i së cilës përfundoi në spital pasi kishte ngrënë kokoshka me familjen.
Fëmija filloi të kollitej dhe të zhvillonte temperaturë, ndërsa mjekët zbuluan se një copë kokoshke i kishte kaluar në mushkëri, duke shkaktuar inflamacion. Fatmirësisht, ajo u hoq me ndërhyrje mjekësore dhe vogëlushi u rikuperua.
Sipas ekspertëve, mosha 4 vjeç është kritike, pasi vetëm atëherë fëmijët fillojnë të përtypin siç duhet ushqimin, falë zhvillimit të dhëmballëve dhe aftësive më të mira përtypëse. Para kësaj moshe, rreziku i mbytjes është shumë më i lartë.
Përveç kësaj, fëmijët e vegjël shpërqendrohen lehtë gjatë ngrënies; ecin, vrapojnë, qeshin, flasin, duke rritur edhe më shumë mundësinë që të mbyten.
Prandaj, pediatrët këshillojnë që foshnjat dhe fëmijët e vegjël të mos konsumojnë kokoshka dhe të jenë gjithmonë nën mbikëqyrje kur hanë.