Lifestyle

Utonagan, gjithçka që duhet të dini për qenin që duket si ujk!

Utonagan është një racë qensh që nuk mund të mburret me jetëgjatësi, pasi nuk jeton më shumë se 12 vjet. Gjenet e tij janë të mbushura me “materialin” që ai mori nga tri racat e qenve; bariu gjerman, malamute alaskan dhe husky siberian. Ka një karakter të fortë dhe duket si një ujk me gëzof shumë të trashë.

Utonagani është një qen i fuqishëm dhe plot energji, që nuk kërkon shumë ndryshim nga karakteri i pronarit të tij. Ky qen ka qëndrimin e vet, por nëse pronari është i vendosur dhe me karakter të fortë, ai zakonisht e pranon autoritetin dhe mëson shpejt. Inteligjent por kokëfortë, utonagani nuk e duron një pronar të paqëndrueshëm apo tepër të butë dhe nuk është aspak i përshtatshëm për dikë që po merr qen për herë të parë.

Kjo racë kërkon shumë aktivitet fizik dhe stimulim mendor të vazhdueshëm, në të kundërtën, shpejt mërzitet, çka mund të çojë në depresion dhe sjellje të padëshiruara. Edhe pse nuk ka një standard të përcaktuar zyrtarisht, qimet e tij janë tipike si të ujkut; ngjyrë argjendi e bardhë, përzierje e kafes, ose një kombinim i këtyre. Barku shpesh është i bardhë.

Qimet janë aq të dendura, saqë ai duket më i madh nga sa është në të vërtetë, ndërsa sytë janë një tjetër veçori mbresëlënëse, ngjyrë kaltër e çelët, ose heterokromi (çdo sy me ngjyrë të ndryshme).

Utonagani është përgjithësisht i dashur dhe i përkushtuar ndaj atyre që i njeh mirë, por shfaq rezistencë dhe ndrojtje ndaj të panjohurve. Për këtë arsye, socializimi i hershëm është thelbësor, veçanërisht që në moshën e këlyshit. Edhe pse i përzemërt me anëtarët e familjes, mund të jetë pa dashje i rrezikshëm për fëmijët e vegjël, për shkak të trupit të tij.

Zakonisht përshtatet mirë me qen të tjerë, por nuk rekomandohet për ambiente ku ka mace apo kafshë të vogla, për shkak të instinktit të lartë për ndjekje dhe “gjueti”. Edhe pse konsiderohet një racë përgjithësisht e shëndetshme, ai ka predispozita gjenetike për disa sëmundje, si displazia e ijëve dhe e bërrylit, deformime në shtyllën kurrizore, kanceri dhe mbipesha. Qimet e dendura të utonaganit kërkojnë përkujdesje të madhe; të paktën 3 deri në 4 herë në javë duhet të krihen me kujdes.