Aktualitet

100 vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri-Amerikë!

Kryeministri Edi Rama uroi sot 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një postim në rrjetet sociale shkruan:

Mirëmëngjes dhe sot, në ditën e fiks 100-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm ju uroj ditë të mbarë, po edhe mbrëmje të bukur të gjithë atyre që do jenë sot në sheshin Skënderbej.

Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA kanë nisur më 28 korrik 1922, pak muaj pas përfundimit të Konferencës së Paqes në Paris, ku presidenti amerikan Wilson doli në krah të vendit tonë. Ambasadori i parë amerikan në Tiranë ishte Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 dhjetor 1922.

Ambasadori i parë shqiptar në Uashington ishte Faik Konica, i cili u emërua në këtë detyrë në vitin 1929 nga Ahmet Zogu. Më pas Ambasada Amerikane në Tiranë u mbyll më 16 shtator 1939, ndërsa ngrirja e marrëdhënieve zgjati edhe gjatë kohës kur në pushtet erdhi Enver Hoxha.

Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars, 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Ambasada e SHBA-ve në Tiranë u hap më 1 tetor 1991, me Christopher Hill si i Ngarkuar me Punë dhe i pasuar nga Ambasadori i SHBA-ve William Edwin Ryerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.

Në ceremoninë historike në vitin 1991 për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, i cili rivendoste marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze Raymond G.H. Saitc, tha:

Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti Woodrow Wilson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.

Më 11 qershor 1991, ish-Sekretari i Shtetit James A. Baker III ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i SHBA-ve, i cili vizitonte Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të vendit. Që nga ajo kohë, marrëdhëniet SHBA-Shqipëri kanë përparuar e janë rritur dhe Shqipëria është bërë një nga aleatet më të palëkundura të Amerikës, sidomos në luftën globale kundër terrorizmit.