Politikë

Thellohet skandali me publikimin e pagave të punonjësve shqiptarë, dalin sot të dhënat e Prillit

Thellohet skandali i publikimit të pagave të punonjësve shqiptarë. Pas dokumentit që qarkulloi dje sot është publikuar online një listë me listëpagat për muajin prill të 2021-shit. Lista e re ka mbi 694 mijë punonjës, pra rreth 60 mijë më shumë se lista e djeshme.

Edhe lista e muajit prill është në format e ngjashme me atë të parën, e eksportuar në programin “Exel”.

Ndërkohë, sot në një konferencë për mediat të mbajtur për këtë çështje, kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

I pyetur nëse nga informacionet që Rama ka siguruar gjatë këtyre orëve, a e cilëson sulm politik apo sabotim nga personat që kanë akses në sistem, kreu i qeverisë dha këtë përgjigje.

“Politik, jo politik, kjo nuk ka asnjë vlerë sepse qytetarët që janë të sekëlldisur duhet të dinë si mund të ketë ndodhur. Përdorimi politik i kësaj ngjarje është në sytë e të gjithëve dhe ngjashmëria në këndvështrimin tim me ngjarjen e mëparshme. Unë kam dhe një ide pse nuk është përdorur publikisht deri kur kanë mbaruar zgjedhjet dhe pse përdoret tani, është një ide e imja” -u shpreh Rama.

Kryeministri sqaroi se ka qartësi në kokën e tij rreth kësaj çwshtjeje.

“Për konfuzion dhe armiqësi mes nesh, është e qartë. Por t’ia bësh njerëzve për të nxjerrë bravën nga çelësi apo se je bërë xheloz se ke mbetur jashtë bravës dhe çelësit apo për çdo arsye tjetër, është një mundësi për t’iu treguar njerëzve se deri ku mund të shkojnë bravaxhinjtë e çelsaxhinjtë. Kjo është çështje me sistemit këtu. U bë një hetim i thellë për të parën dhe ka treguar se ka ngjashmëri me të dytën, ky është mendimi im”.