Bota

A do të vazhdojë Mario Draghi të qëndrojë në krye të qeverisë italiane?!

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, i cili javën e kaluar ofroi dorëheqjen, pasi koalicioni i tij qeveritar u shpërbë, u tha ligjvënësve italianë se është i përgatitur të qëndrojë si kryeministër, por ka një kusht që kjo të ndodhë: vetëm nëse partitë qeverisëse në konflikt, bashkohen pas tij.
E ardhmja e qeverisë së unitetit kombëtar të kryeministrit italian, Mario Draghi pritet të vendoset sot, teksa oferta e tij për dorëheqje u refuzua nga presidenti i vendit fqinj, Sergio Mattarella, po javën e kaluar.

Fillimisht, shefi i qeverisë së Romës do të raportojë për situatën politike në Senat, pasuar nga një debat njëorësh që duhet të përfundojë me një votëbesim. Bankieri 74-vjeçar, pritet të paraqitet nesër edhe në Dhomën e Deputetëve.

Një rezultat i mundshëm është se kryeministri mund të vazhdojë në detyrë me mbështetjen e shumicës. Por, është e paqartë nëse edhe ai vetë, gjithashtu shpreson të vazhdojë si numri një i qeverisë në vendin që rrezikon thellimin e krizës politike.

Nëse nga ana tjetër, ekonomisti i cili ka drejtuar edhe Bankën Qendrore Europiane, vendos të këmbëngulë për dorëheqjen e tij, Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella mund të shpërndajë Parlamentin duke shkaktuar zgjedhje të parakohshme në Itali.

Mario Draghi drejton ekzekutivin italian, që nga muaji shkurt i vitit 2021, duke udhëhequr një kabinet uniteti shumëpartiak. Kriza aktuale e qeverisë në Itali u ndez javën e kaluar, kohë kur anëtarët e lëvizjes populiste “Pesë Yje” (M5S) refuzuan të marrin pjesë në një votim për një paketë masive ndihme.