Bota

Kriza në Itali, flet kryediplomati Luigi Di Maio!

Formimi i një maxhorance të re qeverisëse italiane pas ofertës së kryeministrit Mario Draghi për dorëheqje përballet me probleme të shumta. Një gjë e tillë paralajmërohet nga ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio, i cili para gazetarëve deklaroi:

Në këtë moment, mendoj se është e vështirë kur mendon të ribashkosh këtë shumicë.

Mario Draghi ofroi dje dorëheqjen, pasi Lëvizja Pesë Yjet (L5Y) bojkotoi një votim që u pa si një votë besimi ndaj qeverisë. Megjithatë, presidenti i Republikës, Sergio Mattarella refuzoi të pranonte dorëheqjen e ofruar të 74-vjeçarit e shpreson përsëri. Tashmë, shefi i qeverisë së Romës do të duhet të shpjegojë situatën në parlament të mërkurën e ardhshme, më 20 korrik e të gjejë një shumicë të re. Di Maio, dikur kryetar i Lëvizjes “5 Yjet”, parti populiste deklaroi:

Partitë, veçanërisht L5Y, tani e kanë situatën në duart e tyre dhe duhet të tregojnë pjekuri.

Së fundmi, ai dha dorëheqjen për shkak të një mosmarrëveshjeje të brendshme. L5Y nuk e mbështet më kabinetin Draghi e Di Maio nuk ishte dakord me këtë qëndrim. Që atëherë, kreu i diplomacisë së Romës ka udhëhequr partinë e re “Së bashku për të ardhmen”.

Sipas Di Maios, “përparësi është marrja e masave kyçe politike, përmes të cilave adresohen problemet e shkaktuara nga rritja e kostove të karburantit dhe energjisë e do të ndihmojnë vendin t’i mbijetojë krizës ekonomike”.

Megjithatë, mendoj se ka njerëz në krye që nuk e kanë kuptuar këtë.

Ndërsa kryeministri Mario Draghi dha dorëheqje, presidenti Sergio Matarella ia refuzoi dhe i ka kërkuar që të paraqitet në parlament sërish, për të marrë një tjetër votëbesim. Por, Draghi argumenton se vendimi erdhi pasi koalicioni qeverisës nuk është më i bashkuar e tashmë nuk kanë më numrat për të siguruar shumicën. Rusia ironizoi e duke sjellë në vëmendje krizat qeverisëse në Britani e Itali, me dorëheqjet respektive, ish-presidenti Medvedev, pyeti se kush do të jetë i treti nga miqtë e Ukrainës që largohet?!