Aktualitet

Me armë dhe municione në shtëpi, arrestohen 49 vjeçari me djalin në Mifol!

Iu gjeti në shtëpi armë zjarri dhe municione, Policia e Vlorës arreston një 49 vjeçar dhe djalin e tij 21 vjeç në Mifol. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri automatike me fishek në fole gati për qitje, 1 krehër me municion, rreth 200 gëzhoja e 1 thikë.

Njoftimi zyrtar: 

Në kuadër të punës së pandërprerë për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, si dhe për të parandaluar ngjarje të rënda kriminale që mund të ndodhnin nga përdorimi i tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Duo”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit: B. K., 49 vjeç, me precedent penal të mëparshëm për armëmbajtje pa leje; ⁠K. K., 21 vjeç, djali i tij, banues të dy në fshatin Mifol.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre,  në fshatin Mifol, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike me fishek në fole gati për qitje, 1 krehër me municion, rreth 200 gëzhoja dhe 1 armë të ftohtë (thikë).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.