Rajoni

Albin Kurti për BBC-në: Kryetarët e komunave shqiptare në zyrat e tyre, kështu duhet të jetë!

Albin Kurti shprehet i gatshëm të dëgjojë propozime për zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës, por jo para se të vendoset sundimi i ligjit e të ndalet dhuna. Për  BBC-në, kryeministri përsërit qëndrimin e njohur se “trazirat në veri i shkaktojnë strukturat ilegale të kontrolluara nga Beogradi”. Referuar kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut dhe që kundërshtohen nga serbët për të hyrë në zyrat e komunave, Kurti vuri në dukje se “janë në ndërtesat ku i takojnë të jenë”.

Në tre komunat në veri në kemi tre ndërtesa komunale dhe nëse jo kryetarët, kush duhet të jetë atje? Nëse nuk janë për ta, për kë duhet të jenë? Kryetarët janë në ndërtesat e tyre dhe kështu duhet të jetë! Janë strukturat ilegale të kontrolluara nga Beogradi që duan të destabilizojnë vendin tonë. Ne duam republikë demokratike e në këto ndërtesa mund të heqim praninë e policisë, por fillimisht grupet e dhunshme të kthehen në Serbi ose të hyjnë në burg. Vuçiç është autokrat.

Sa iu përket qëndrimeve të ndërkombëtareve, Kurti tha se për Kosovën, SHBA-të e BE-ja janë partnerë dhe miq të pazëvendësueshëm, por se nuk ia dorëzojnë vendin “milicisë fashiste”.

Në Republikën e Kosovës pushteti merret vetëm nëpërmjet zgjedhjeve. Për këtë arsye jam gati të dëgjoj propozime për zgjedhje të parakohshme, pasi të vendosim zbatimin e ligjit në vend. SHBA-të, BE-në e Britaninë  e Madhe, ne i konsiderojmë aleatë të pazëvendësueshëm e miq, si dhe iu detyrohemi shumë për pavarësinë, lirinë, demokracinë dhe zhvillimin, por edhe për ndihmën për siguri më të mirë për vendin tonë. Por, nuk mund t’ia dorëzojmë republikën tonë demokratike milicisë fashiste që paguhet nga autokratët në Beograd. Ata nuk e distancojnë veten nga e kaluara, Millosheviçi dhe as nga e tashmja, presidenti despot Putin. Kjo situatë është e qartë, disa mundohen ta komplikojnë, por është mjaft e qartë.

Tensionet janë rritur në veri të Kosovës, pasi serbët protestojnë në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potik për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale. Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për uljen e tensioneve, ndërsa kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.