Showbiz

Alketa Vejsiu i kërkon falje publikut: “Mi kurseni akuzat ju lutem, unë nuk isha juria”

Ajo e cila tashmë do të përfaqësojë publikun në Eurovizion është Arilena Ara me këngën “Shaj” e cila u shpall fituese e “Fest 58” sipas votave të jurisë që u bënë publike ditën e djeshme.

Fitorja e Arilenës është shoqëruar me shumë polemika dhe kundërshtime për shkak të konkurrencës së egër mes saj dhe Elvana Gjatës e cila gjithashtu ishte pretendente e fortë për të fituar. Le të mos harrojmë edhe faktin që para nisjes së festivalit emri i Elvanës u lakua si fituesja në fuqi e shpallur nga Alketa Vejsiu dhe Vera Grabocka, ende pa nisur gara.

Arilena dhe Elvana kishim mbështetjen maksimale të publikut por tashmë që gjithçka ka përfunduar të gjithë po shprehin pa rezerva mendimet e tyre për fitoren e kësaj të parës, madje edhe vetë Alketa Vejsiu që i ka kushtuar paragrafe të plota Elvanës dhe se si ajo është fituesja e vërtetë e festivalit.

Sipas moderatores, kënga “Me Tana” ishte e preferuara e shqiptarëve duke i kërkuar falje publikut që nuk arriti t’i japë zë, zërit të publikut.

“I uroj sukese Arilenës për fitoren! Sa më mbarë për Shqipërinë në Eurovision! Por nuk mund të lë pa falenderuar Elvana Gjatën! Atë që u klikua në 2 javë më shumë se të gjithë, 3 milion e 500 mijë herë! Nuk mund ta mohoj që kënga e saj ishte festa e këtij Festivali! Që Elvana ishte lajmi i këtij edicioni, zëri dhe energjia e rinisë që vallëzoi në një sallë të ngurtë, që bëri bashkë Shqipërinë, Kosovën dhe Diasporën! Garat shpallin fitues, por jo humbës; sepse hitet nuk vdesin kurrë. Pas këtij Festivali që e kam bërë me shpirt, mund të them që skam qenë dhe sdo bëhem kurrë palë me asnjë juri, për asnjë motiv! Besoj tek meritokracia dhe më vjen thellësisht keq që në platformën e këtij Festivali nuk munda dot t’i jap zë, zërit të publikut! Më falni nëse ju kam zhgënjyer! Kuptoj dhe respektoj ndjeshmërinë tuaj! Mi kurseni akuzat ju lutem! Unë nuk isha juria, dhe jurinë se zgjodha unë! Elvana Faleminderit! Ti erdhe në këtë Festival sepse besove tek vizioni im! Ti s’kishe nevojë për garë për të konfirmuar atë qe je, sepse ti thjesht Je! Dhe për më tepër ti duhet të ndihesh fituese sot sepse të 3 anëtarët e jurisë së Eurovision të kanë dhënë 18 pikë. Ato 2 pikët e Shqipërisë, jam pa fjalë” -shkroi Alketa në një postim në Instagram që ka nxitur debate të shumta.