Aktualitet

Ambasada amerikane në Tiranë përshëndet miratimin e hartës së re gjyqësore!

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë përshëndeti sot vendimin e qeverisë për miratimin e hartës së re gjyqësore. Në një deklaratë, selia diplomatike e Uashingtonit thekson se mirëpret miratimin nga Këshilli i Ministrave të hartës së re gjyqësore.

Harta e gjykatave të Shqipërisë u hartua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nëpërmjet një procesi që përfshiu Ministrinë e Drejtësisë dhe aktorë të tjerë, si dhe ndihmë teknike nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës. Marrëveshja për hartën, e cila pasoi konsultime të gjera dhe marrjen në shqyrtim të shqetësimeve nga palët e interesuara si pjesë e procesit trevjeçar, përfaqëson një shembull të mirë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pavarura. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përmbushur me sukses detyrimin e tij ligjor për të garantuar rregullisht që sistemi i gjykatave është gati për të siguruar performancë te efektshme gjyqësore dhe për t’i dhënë drejtësi pa vonesë qytetarëve shqiptarë.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se “me hyrjen e saj në fuqi, Shqipëria do të ketë 13 Gjykata të Shkallës së Parë, një Apeli dhe dy Administrative të Shkallës së Parë”. Sipas tij, “nga gjykatat që mbyllen, nuk cënohet asnjë shërbim”. Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ përshëndeti miratimin nga qeveria të hartës së re.

KLGJ vlerëson se “vendimi i hap rrugën një procesi, që synon rritjen e efikasitetit dhe efektshmërisë të gjykatave e dhënies së drejtësisë në mënyrë të barabartë e pa vonesa për të gjithë qytetarët”.

Por, avokatët e kundërshtojnë, ndaj, prej më shumë se një muaji janë përfshirë në bojkot. Ata do ta çojnë në Kushtetuese, hartën e re gjyqësore. Sipas kryetarit të Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, “kjo është harta më e gabuar”.

Ne fituam, fituam në radhë të parë pasi demonstruam nivel të lartë profesional. Hapi jonë final do të jetë Gjykata Kushtetuese. Kemi ngritur një grup që të përgatisë materialin.