Aktualitet

Qeveria miraton hartën e re gjyqësore!

Qeveria shqiptare miraton hartën e re gjyqësore. Këtë e bëri të ditur sot ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja:

Me hyrjen në fuqi të kësaj harte, Shqipëria do të ketë 13 Gjykata të Shkallës së Parë të juridiksionit të përgjithshëm, 1 Gjykatë Apeli me juridiksion të përgjithshëm dhe dy Gjykata Administrative të Shkallës së Parë.

Miratimi i hartës së re gjyqësore është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Harta e re gjyqësore është bashkëpropozim i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe i Ministrisë së Drejtësisë. Eshtë produkt i një grupi ekspertësh të Këshillit të Lartë Gjyqësor, asistuar nga ekspertë të Këshillit të Evropës, por dhe nga ekspertë të tjerë ndërkombëtarë. Eshtë një punë e shkëlqyer tre vjeçare, e cila u finalizua sot me miratimin e hartës gjyqësore në qeveri.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja sqaroi se nga gjykatat që do të mbyllen, nuk cënohet asnjë shërbim gjyqësor.

Qytetarët do t’i marrin të gjitha shërbimet gjyqësore në struktura ekzistuese të gjykatave. Po ashtu, implementimi i hartës do të bëhet me faza. Më 1 shkurt bëhet implementimi i Gjykatës së Apelit në një gjykatë në Tiranë. Më 1 maj do të jenë gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm dhe më 1 korrik, gjykatat administrative të shkallës së parë.

Harta e re gjyqësore ka disa risi, standardizon kohën e dhënies së vendimit, bën një ndarje të drejtë te gjyqtarët, ul kostot e drejtësisë. Do të kemi një short real të shpërndarjes së çështjeve te gjyqtarët.

Gjithsesi, sfida me implementimin e hartës është kjo fazë tranzitore e saj. Së bashku me KLGJ-në, ne do ta shfrytëzojmë si një periudhë ligjore të qytetarëve. Harta e re lë hapësire që me rishikimin e numrit të gjyqtarëve nga KLGJ, në të ardhmen të shihet mundësia e hapjes së degëve të gjykatave, siç e përcakton ligji.

Kujtojmë se harta e re gjyqësore është kundërshtuar masivisht nga avokatët, të cilët kanë organizuar edhe protesta, krahas bojkotit të seancave në shumë gjykata, në mbarë vendin. Me kundërshtimet u bashkua edhe opozita, ndërsa presidenti Meta kërkoi rishikim të draftit që sot mori OK-ein e qeverisë.