Celebrities Gossip

Arrestimi i Liamit në BBV, reagon avokati i tij: “Për dënimin nuk kishte dijeni as policia, u lejua…”

Policia ka ekzekutuar ditën e djeshme një vendim gjykate të shkurtit 2022, që dënonte Liam Osmanin, banorin e ri të “Big Brother VIP 3” me 2 vjet e 6 muaj burg, e në lidhje me këtë ka reaguar Dritan Shehaj, përfaqësuesi ligjor i tij. Në një njoftim të Policisë thuhet se ai përmes mashtrimit ka përvetësuar 17 bileta turistike për në Gjermani, për të cilat nuk ka kryer pagesat.

Por avokati Shehaj u shpreh se klienti i tij Liam Osmani, i njohur ndryshe nga publiku si Liam Mandiaro, nuk ka pasur dijeni për dënimin. Ai shkruan se ish-banori i “Big Brother VIP” është një shtetas gjerman që jeton e punon në Gjermani në një nga spitalet në Këln dhe se autoritetet shqiptare nuk u janë drejtuar asnjëherë autoriteteve të Gjermanisë për ta kërkuar ose njoftuar.

Shehaj e konsideron një padrejtësi arrestimin e tij brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, teksa shtoi se për dënimin, nuk kanë pasur dijeni as autoritetet e aeroportit “Nënë Tereza” dhe as ato të Policisë Tiranë. Reagimi i avokatit:

Lidhur me ndalimin e kryer nga forcat e policisë për banorin e “Big Brother”, Liam Osmani, dhe njoftimit se ai është dënuar për mashtrim nga Gjykata e Tiranës, sqarojmë se bëhet fjalë për një çështje për të cilën Liam Osmani nuk ka patur asnjëherë dijeni, dhe është tërësisht i paqartë për rrethanat për të cilat ndaj tij janë ngritur akuza të tilla. Vetëm ditën e sotme, pas shoqërimit nga policia, Liam Osmani ka ardhur në dijeni të akuzave ndaj tij dhe ekzistencës së një vendimi gjyqësor që e ka shpallur fajtor për veprën penale të Mashtrimit ndaj një personi tjetër, për shumën prej 6000 euro.

Ky proces penal në ngarkim të tij, është zhvilluar në mungesën e Liam Osmanit, ai nuk është vënë asnjëherë në dijeni të këtij fakti, nuk është njoftuar asnjëherë nga organet e policisë, organi i prokurorisë, dhe në fund as nga gjykata përkatëse. Liam Osmani nuk ka patur asnjë dijeni për këto akuza, as ka mashtruar apo gënjyer ndonjëherë ndokënd, por të gjitha marrëdhëniet e tij të biznesit i ka të dokumentuara me kontrata dhe dokumenta financiare të rregullta, të cilat rrëzojnë katërcipërisht akuzën e mashtrimit, të ngritur padrejtësisht ndaj tij, dhe të gjykuar në fshehtësi të plotë nga institucionet e gjykatës dhe prokurorisë.

Liam Osmani është një shtetas gjerman, që jeton dhe punon në Këln, Gjermani, në një nga spitalet e këtij qyteti, dhe është e paimagjinueshme që organet ligjzbatuese të shtetit shqiptar, të mos t’i drejtohen asnjëherë autoriteteve gjermane për ta kërkuar, për ta njoftuar, për ta thirrur për të dhënë shpjegime, për ta vënë në dijeni të akuzave që janë ngritur ndaj tij, për ta dëgjuar përpara se të nxirrnin konkluzionet përkatëse, dhe përpara se ta dënonin në mungesë, dhe nxitimthi.

Madje në mënyrë paradoksale, për dënimin e tij nuk kanë dijeni as autoritetet e kufirit të aeroportit të Rinasit, nga ku Liam Osmani ka hyrë në territorin shqiptar përpara 1 jave, nuk kanë dijeni as shërbimet e policisë të komisariateve të Tiranës, ku Liami ka jetuar këto ditë, por çuditërisht kjo gjë bëhet publike vetëm pas hyrjes së tij në shtëpinë e “Big Brother”. Sqarojmë se Liam Osmani do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të vënë në vend padrejtësinë që i është bërë, vendimi i gjykatës brenda pak ditësh do të bëhet null, dhe çështja do të shqyrtohet nga e para, dhe jemi të sigurt se në përfundim Liam Osmani do të shpallet i pafajshëm.