Celebrities Film & Tv Showbiz

Asgjë nuk e ndal Tom Cruise në xhirimet e “Mission Impossible 8”!

Tom Cruise ka rrezikuar jetën në xhirimet e filmit të tij “Mission Impossible 8”. Aktori u fotografua teksa ishte i varur me kokë poshtë nga krahu i një aeroplani të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa xhironte skenat e filmit të ri.

Tom u pa duke xhiruar skenën që sfidonte vdekjen në aeroportin Duxford në Kembrixh së fundmi, me aeroplanin ‘Boeing B75N1’ Stearman të vitit 1941. Gjatë javëve të fundit, aktori i filmave aksion kishte marrë mësime fluturimi në aeroport në përgatitje për skenat emocionuese për pjesën e tetë të filmave “Mission Impossible”, i cili do të publikohet më 7 korrik 2023.

Ndërsa avioni fluturonte në të gjithë zonën e Kembrixhshire, Tom, i cili ishte i lidhur me aeroplanin, në mënyrë të rrezikshme u var me kokë poshtë nga krahu i tij. Aeroplani i Luftës së Dytë Botërore më pas kreu një rrotullim, i cili ndihmoi aktorin të kthehej në kabinën e fluturimit. Një aeroplan i dytë u pa gjithashtu duke fluturuar përkrah ‘Boeing B75N1’ gjatë provave për skenën e vështirë.

Përkushtimi i Tom për xhirimet vjen pasi filmi “Mission: Impossible 7” nuk është shfaqur ende në kinema, pasi premiera e tij është shtyrë deri më 30 shtator 2022. Më parë u raportua se Cruise  po mësonte të fluturonte me një aeroplan të Luftës së Dytë Botërore për pjesën e tetë të “Mission: Impossible”. Një burim tha për “The Sun” se:

Tom kishte filluar të mësonte të fluturonte me një aeroplan ‘Boeing Stearman’ në fillim të këtij viti për një skenë të madhe në “Mission: Impossible 8”.

Rikujtojmë se, para pak ditësh aktori i njohur dhe i dashur për të gjithë publikun u vendos në qendër të vëmendjes për shkak të pamjes së tij krejtësisht ndryshe. Ai u shfaq pothuajse i panjohur për disa fansa, pasi ishte duke ndjekur lojën e dytë të Serisë së Divizionit të Ligës Kombëtare në San Francisko. Ulur me djalin e tij Connor Cruise dhe duke buzëqeshur për të bërë fotografi, mënjëherë në mediat sociale u debatua për pamjen e ndryshueshme të yllit të “Top Gun”.