Bota

Australi, sulm me thikë në një qendër tregtare në Sydney/Raportohen viktima!

Në Sydney të Australisë disa persona u goditën me thikë në një sulm në një qendër tregtare. Policia australiane ka shkuar në vendngjarje dhe informacionet e para ende janë kontradiktore. Paraprakisht, raportohet se oficerët hapën zjarr duke qëlluar njërin prej dy agresorëve të dyshuar, i cili gjeti vdekjen. Ndërkaq, tjetri është në arrati. Mediat publikuan foton e njërit prej tyre.

 

Qytetarëve të pranishëm e të përfshirë nga paniku iu është kërkuar të mos i afrohen zonës. Dëshmitarë nga vendngjarja të cituar nga mediat, flasin për të paktën pesë të vdekur, trupat e të cilëve shihen të shtrirë në tokë.

Po sipas informacioneve të para, të paktën gjashtë persona janë goditur. Siç bën të ditur Channel 9, mes atyre që u goditën me thikë është edhe një foshnje 9 muajshe e që u dërgua në spital ku po merr ndihmë mjekësore.  Dhjetëra automjete policie dhe autoambulanca të shumta kanë shkuar për të ofruar ndihmë në qendrën tregtare Westfield Shopping Centre të Bondi Junction e nga ku njerëzit në panik, tentuan që të iknin.

Një zëdhënës i Shërbimit të Shpëtimit të NSW-së tha se agjencia iu përgjigj “raportimeve se një burrë po vraponte rreth Westfieldit e në duar mbante një thikë”.

Ndërkaq, në rrjetet sociale po qarkullojnë me shpejtësi pamjet e një klienti hero, i cili veproi për të bllokuar njërin prej sulmuesve. Veprimi është bërë viral e të shumtë janë ata që po e cilësojnë “kurajoz” e “hero” për guximin e tij. Ai shfaqet në shkallët e lëvizshme teksa mban një objekt të gjetur aty pranë.

https://twitter.com/Ostrov_A/status/1779056164229075109?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1779056164229075109%7Ctwgr%5Ef3fb198b82ff13c5dce76e945cc080c96b5b4202%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, shprehu ngushëllimet e tij për viktimat e sulmit me thikë në qendrën tregtare në Sydney.

U informova për sulmin në Bondi Junction. Tragjikisht raportohen viktima të shumta dhe mendimet e para të të gjithë australianëve janë me të prekurit e të dashurit e tyre. Zemrat tona drejtohen për nga të lënduarit dhe falënderojmë ata që kujdesen për ta. Falënderojmë edhe policinë tonë të guximshme e reaguesit e parë!

Kryeministrja në detyrë e Uellsit të Ri Jugor, Penny Sharp:

Jam tronditur nga lajmet për viktima të shumta në një sulm me thikë në Westfield në Bondi Junction. Mendimet e mia dhe ato të qeverisë janë me viktimat, familjet e tyre e reaguesit e parë. Po ashtu, me ata që mund të kenë qenë dëshmitarë të këtyre ngjarjeve të tmerrshme.