Art & Kulturë Film & Tv

“Black Panther: Wakanda Forever” Një hap para, dy hapa pas?! Varet se me cilin sy e shikon, me atë me xham apo atë pa xham. Kritikë.

Në vorbullën e diskutimeve raciale në prodhimet Hollywood-iane të epokës Tik Tok-iste dhe kulturës së fshirjes kur mendimet e një njeriu ose një grupi njerëzish nuk konvergojnë; “Black Panther” i pesë viteve më parë ishte një meteorit që i tregoi skeptikëve se një film me shumicën e aktorëve me ngjyrë mund të jetë njësoj i suksesshëm në arkëtime sa ata me shumicën e aktorëve të bardhë. BP u kthye në një fenomen global dhe duhet thënë se i hapi rrugë një mëndësie të re të ekzekutivëve të studiove në amerikën e largët.

Humbja e protagonistit Chadwick Boseman, dy vite mbas premierës, për shkak të një sëmundje të rëndë e uli entuziazmin e fillimit për të vazhduar serinë e dytë të filmit nga Marvel. Ama, kur e shikon, kupton se “Black Panther: Wakanda Forever” është edhe më ambicioz në të gjitha drejtimet se pararendësi i tij. Madje filmi shpesh merr trajta të cilat janë kryesisht pa interes për një studio të madhe e cila qëllimin kryesor e ka të bëjë para në sallat e [ri]hapura të kinemasë. Argëtimi dhe provokimi nuk shkojnë mirë me njeri-tjetrin.

Historia ndodh pak kohë mbas “Avengers: Endgame” një vit mbas vdekjes së papritur të mbretit T’Challa (Boseman). Populli i Wakandës është duke gjetur mënyra për të bashkëjetuar me humbjen e prijësit të tyre, duke njëkohësisht u mbrojtur nga shtetet perendimore që duan të shtien në dorë pasurinë e tyre më të madhe – Vibraniumin. Tashmë vendi udhëhiqet nga një grua e fortë Ramonda (Angela Basset), e ema e T’Challa-s dhe vajza e saj Shuri (Letitia Wrhight) të dyja të thyera, njëra më shumë se tjetra nga humbja e tyre e madhe. Njësoj si Boseman nuk ishte vetëm një superhero i ekranit të madh, ka një tis dhimbjeje të vërtetë që i kalon kufijtë e pelikulës përgjatë gjithë filmit, duke e bërë veprën të gërshetohet në mënyrë magjike me jetën e vërtetë. Në përpjekje për ta çuar filmin përpara ka një tërheqje të vazhdueshme por të kuptueshme drejt së shkuarës.

Në mes të luftës së ftohtë me shtetet e perëndimit, një armik i ri shfaqet në brigjet e fshehta të popullit afrikan duke hapur një shteg të ri të qëndresës së tyre, pavarësisht dhimbjes që u rëndon mbi supe. Gjeopolitika është mbase arsyeja e fundit pse publiku mund të shkojë në kinema, sidoqoftë metaforat e këtij filmi janë të forta, gjithmonë nëse ke prirje t’i shohësh. Nëse heq të gjitha aspektetet fantastiko-shkencore të filmit, ai kthehet në një pasqyrim të luftërave aktuale në rruzull, një dokumentim i saktë i sjelljes së superfuqive ndaj vendeve me pasuri nëntokësore, e sigurisht shpërfilljes totale të rrespektit për planetin ku jetojmë.

Armiku i ri i Wakanda-esve, Namor është po aq i lig-u i historisë, sa ç’është edhe plotësisht i justifikuar në mbrojtjen e popullit të tij. Kjo të bën të mendosh thellësisht për çfarë mund të konsiderohet si e drejtë dhe çfarë jo… Metafora e kritikës së kolonizimit perëndimor është në ADN-në e “Wakanda Forever” e sjellë si një shinë paralele me ngjarjet e filmit, si një përpjekje për edukim të brezit që njohurinë kolektive e ka të bazuar në re-në e inteligjencës artificiale. Tenoch Huerta (Namor) luan me një tërheqje magnetike çdo skenë të filmit duke pasuruar një film i cili gjithashtu ngre lart feminizmin në një tokë kryesisht maskiliste.

Edhe pse filmat e Marvel-it jo gjithmonë kanë kuptim, në dy orë e gjysmë që “Black Panther: Wakanda Forever” zgjat çdo gjë lidhet mirë me njëra-tjetrën duke e bërë atë një nga blockbuster-at më të mirë të vitit 2022. Është një vepër e cila kujton kritikët se nëse dëshira është, edhe një film i këtij lloji mund të kthehet në një peshë të rëndë të kinematografisë botërore, gjithmonë nëse do kishe dashamirësinë për ta parë me atë sy. Historia deshi që dy filmat parë Black Panther të kalonin pritshmëritë e të gjithëve me gjëra që vareshin dhe nuk vareshin prej realizuesve të filmit. Nëse kjo do të përsëritet tek seria pasardhëse, mund të them me bindje se kjo trilogji do të hyjë në serinë e filmave më të mirë të shekullit. Gjasat sidoqoftë janë të pakta…