Art & Kulturë Film & Tv

Vintage | Trilogjia “Before” ngelet sot e kësaj dite më e mira e të gjitha kohërave. Kritikë.

Ata që e kanë parë e dinë. Të tjerët duhet të dinë para se ta shohin se kjo shtambë e kinematografisë amerikane është [mbase] trilogjia më e mirë e të gjitha kohërave. Hollywood-i si pjesë të strategjisë së tij të përfitimit, ka ndarë shumë filma në tresh (ose më shumë), por shumica prej tyre është një stërhollim i kotë e i pakuptimtë. Është një shprehje që thotë se gjërat e mira vijnë treshe, por kjo nuk vlen kurdoherë.

Trilogji të famshme si “The Godfather” apo “The Dark Knight” janë mishërim i aksiomës për shkak të kapitullit të tyre final të vakët. Richard Linklater është ndër të paktët mjeshtra që në gati dy dekada nga njëri kapitull tek tjetri ja ka dalë të realizojë një vepër solide me tre akte, njëri më i bukur se tjetri, tre filma, ose një shumë i gjatë (e bukura e t’i jetuarit në kohë të ndryshme) të cilët i shijon njësoj [në mos më shumë] me kalimin e kohës. Historia e dy protagonistëve Jesse (Ethan Hawke) dhe Celine (Julie Delpy) mund të mos jetë aq epike sa odiseja e Frodo-s (“Lord of the Rings”) apo mund të mos ketë aq aksion të Tony Stark tek “Iron Man”; ama “Before Sunrise”, “Before Sunset” dhe “Before Midnight janë të arrirë në drejtimin teknik po aq sa në atë artistik.

Mu desh ti rishihja edhe një herë vite më vonë për t’i trajtuar me respektin që meritojnë.

Çfarë i bën këta filma të dallueshëm nga moria e ‘filmave me seri’ është origjinaliteti i tyre. Premisa mund të jetë e njëjtë por çdo film ka diçka të re për të ofruar. Në zemër të historisë është raporti mes Jesse-t dhe Celine-s, diçka që nuk ndrron përgjatë tre filmave. Në secilin film ata gjenden në një qytet europian duke diskutuar mbi besimet, shpresat, idetë e tyre për veten dhe botën në një bisedë të vazhdueshme, nga ato që i kalon vetëm me njeriun i cili shndërrohet në më të rëndësishmin e jetës tënde. “Before Sunriseështë më romantiku prej të treve, është takimi i parë i këtyre dy pëllumbave, në rrugët e bukura të Vienës. E gjitha të duket si një përrallë e kohëve moderne. Është pikërisht aty ku çifti fillon të thurë ëndrra për jetën e tyre së bashku.

Before Sunset” tregon se nuk kishte një fund të lumtur për ta.

Ky kapitull është tërësisht i ndryshëm në krahasim me të mëparshmin. I vendosur 9 vite pas Sunrise, njihemi me Jesse dhe Celine si individë më shumë se si dyshe “Before Midnight” e gjen çiftin vite më vonë, të martuar dhe me fëmijë e në përballje me të gjitha sfidat e dy njerzve të rritur, disi të zhveshur nga ëndrrat dhe pasioni për njëri-tjetrin, një pasqyre perfekte dhe bruske e një çifti në këtë stad të jetës universalisht – sa do larg stereotipeve të mundohet të qëndrojë.

Tre fotografitë e tre realiteteve të së njëjtit çift, i cili është e vetmja gjë që i lidh filmat me njëri tjetrin, të cilët mund të shihen dhe shijohen po njësoj edhe veçmas njëri tjetrit.

Diçka që e bën trilogjinë të jashtëzakonshme është se edhe pse premisa e çdo serie është e njëjtë, shija e çdo filmi është krejt e ndryshme nga parardhësi. Është shumë e vështirë që një trilogji ta përmbajë këtë veçori. Skenat e rrjedhshme të dialogjeve të gjata që janë luajtur me mjeshtëri nga dy aktorët protagonistë si edhe metamorfoza e tyre përgjatë dekadave është si një tren paralel me atë që ndodh me secilin prej nesh. E në fakt edhe distanca nga njëri film tek tjetri të bën që Jesse dhe Celine të rriten bashkë me ty, të provojnë të njëjtat fitore dhe zhgënjime, të njëjtat sfida, të njëjtat ndjesi.

Autenticiteti i këtyre filmave është i pakrahasueshëm. Lidhja që Linklater ka dashur me kast të krijojë mes personazhevë të tij fiktiv dhe shikuesve nuk do të mund të ishte krijuar ndryshe nëse filmat nuk do të portretizonin vetë protagonistët e tyre në 3 momente [kaq] të ndryshme të jetës së tyre. Asnjë film më parë apo më pas nuk ka mundur të thellohet kaq shumë në majat e larta dhe gropat e thella të një marrëdhënie, askush nuk e ka treguar me kaq vërtetësi dhe poezi në të njëjtën kohë një marrëdhënie dashurie me të mirat, të këqijat dhe të shëmtuarat e saj. Mund të mos kenë patur suksesin e arkëtimeve të Petere Jackson – “Lord of The Rings”, apo fotografinë perfekte të Francis Ford Coppola-s tek  “Kumbari” por nuk kanë asesi pretendimin e tyre duke qënë po aq madhështorë në thjeshtësinë që i karakterizon.

Sigurisht këto tre filma janë thuajse të pakuptueshëm nga Gjenerata Z, të cilët marrëdhënien e tyre më të ethshme e kanë me telefonin celular, bisedat e të cilëve janë të vakëta dhe të shurdhëta. Por janë dokumentimi më realist i të jetuarit në vitet ‘90 me të gjitha dritëhijet [e mrekullueshme do thoshte një Millenial] të atyre viteve.

Në një intervistë të vitit 2021, Julie Delpy adresoi thirrjet e fansave për një film të katërt të trilogjisë “Before” duke thënë se nuk e di sa sa mund të ketë vend për një kapitull të katërt të marrëdhënies idilike të Celine dhe Jesse-t në këto kohë kaq të ndryshme me vitet kur historia u bë pjesë e ekraneve të mëdha e të vogla. Edhe pse Ethan Hawke vazhdon të jetë shumë i angazhuar në kinematografi, Delpy është duke u tërhequr, ose më saktë duke bërë vetëm gjëra që i ka afër zemrës. Kjo jo për të thënë se kjo aventurë dy dekadëshe nuk është, më shumë sesa ruajtja e një kujtimi të bukur në një kuti të kristaltë, të cilën mund ta thyesh lehtësisht nëse nuk e bart me kujdes.  E ne fakt,  disa gjëra në jetë,  është mirë të ruhen si të tilla.