Rajoni

Bruksel, nesër vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën!

Miratimi i vendimit lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, nesër pritet të jetë në rend dite në takimin e ambasadorëve të BE-së, në Bruksel. Në mbledhjen e këtij grupi të njohur si Coreper, vendimi do të miratohet pa diskutim pasi për tekstin e tij, vendet anëtare të BE-së ranë dakord më 22 nëntor, në një takim të këshilltarëve për çështjet e brendshme dhe drejtësinë. Teksti u hartua nga Çekia, vend që aktualisht ka presidencën e Unionit. Kjo pas disa takimeve të grupeve të punës e diskutimeve dypalëshe me vendet që patën vërejtje.

Sipas versionit të fundit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS e për këtë data është 1 nëntori 2023. Por, nëse ka vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024. Deri atëherë, Kosova duhet të synojë të ketë “marrëveshje” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat nuk i ka.

Po ashtu, Kosovës i kërkohet të vazhdojë të përshtasë politikën e saj të vizave me të BE-së, ndërsa i mbetet të kalojë edhe në disa procedura të tjera që i kërkojnë vendet anëtare. Vendimi që do të dalë nesër në rend dite, fillimisht duhej të votohej më 23 nëntor. Por, u hoq nga agjenda për shkak të tensioneve në Kosovë, nxitur nga një vendim i qeverisë Kurti, për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe.

Ndërkohë, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për çështjen e targave. Krahas dokumentit për liberalizimin e vizave për Kosovën, Çekia publikoi edhe një deklaratë, përmes së cilës, vendeve anëtare të BE-së u kërkohet të bëjnë çmos që sistemi ETIAS të jetë funksional në datën e caktuar, pra më 1 nëntor të vitit të ardhshëm. ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së t’i regjistrojnë para udhëtimit, të dhënat e tyre në këtë sistem.

Franca ishte shteti që ka këmbëngulur më së shumti që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën, të lidhet me funksionalizimin e ETIAS-it, si i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së vendeve anëtare. Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen e që përbëhet nga 26 shtete evropiane.