Sport

Ceferin lobon që të rikthejë Botërorin në Evropë, ja dy kandidaturat e mundshme për vitin 2030!

Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, është shprehur plotësisht i bindur se Spanja dhe Portugalia do të jenë organizatorët e Botërorit 2030.

Numri një i UEFA-s ka marrë pjesë në inaugurimin e kongresit ndërkombëtar “Football Talks”, që po mbahet në Lisbonë (Portugali), ku ka mbështetur plotësisht kandidaturën e dy vendeve të gadishullit Iberik për të pritur Botërorin që do të luhet pas 8 vitesh.

“Jam i sigurt se Botërori 2030 do të luhet në Spanjë e Portugali, dy vende që jetojnë me futbollin. Kjo është një kandidaturë fituese dhe do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar këto dy vende të fitojnë të drejtën për organizimin e Botërorit.

Ne si UEFA do të bëjmë gjithçka për të ndërtuar një infrastrukturë moderne të denjë për mikpritjen e një evenimenti të kësaj shkalle”.

Përveç mbështetjes europiane, edhe federatat arabe e kanë miratuar “ofertën” iberike, falë organizimit të Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite.

Si krerët e shteteve ashtu edhe qeveritë e Spanjës dhe Portugalisë kanë treguar mbështetje absolute për projektin dhe e shohin atë si një mundësi të madhe për të dy vendet, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë sportiv dhe social.