Celebrities Gossip Showbiz

Çfarë qëndrimi mban mamaja e Britney Spears pas skandalit të bujshëm mediatik?!

Të gjithë jemi njohur tashmë me historinë dhe deklaratat tronditëse të këngëtares së njohur Britney Spears lidhur me kujdestarinë e të atit.

Këngëtarja nuk e fitoi dot betejën ligjore pasi gjykata mori vendimin ku vazhdon t’i japë babait, Jamie Spears, kontrollin mbi jetën e saj. Gjithsesi lidhur me gjithë skandalin mediatik, Jamie i ka mohuar të gjitha këto akuza. Ai pretendon se nuk ka qenë i përfshirë në kujdestarinë e të bijës 2 vitet e fundit.

Ndërkohë që shumë persona të afërt me Britney Spears, përfshirë motrën e saj Jamie Lynn, kanë reaguar për rrëfimin e saj tronditës para gjykatës pak ditë më parë rreth kujdestarisë së babait, ende nuk kishim dëgjuar një reagim lidhur me gjithë ngjarjen nga mamaja e këngëtares.

Lynne Spears, e cila është divorcuar me babain e Britney-t në vitin 2002, ka folur për herë të parë në një lidhje telefonike me “The New Yorker” duke thyer kështu heshtjen. Mamaja e yllit të muzikës pop ka thënë se:

Kam ndjenja të përziera për gjithçka. Nuk e di çfarë të mendoj. Ka shumë dhimbje, shumë shqetësim. Jam mirë. Jam mirë në shmangien e gjërave.

Gazetarët kanë treguar se Lynne nuk ka preferuar të japë shumë detaje në lidhje me çështjen e kujdestarisë. Kjo ishte përgjigjia e parë publike e saj për betejën ligjore të Britney-t, megjithëse ka shprehur mbështetjen për të ndër vite.

Ndërkohë, motra e saj, Jamie Lynn Spears, i ka dalë në mbrojtje Britney-t, ku tha në një video të publikuar në llogarinë e saj në “Instagram”, se nuk ka folur më parë, pasi i takonte vetë Britney-t që të tregonte të vërtetat mbi jetën e saj.

Rikujtojmë se, së fundmi edhe këngëtarja e njohur Iggy Azalea ka tronditur me deklaratat e saj duke shprehur se ajo ishte dëshmitare ndaj abuzimit që i bëhej Britney-t nga babai i saj.