Kryeministri Rama paralajmëroi sot se “Në mars-prill-maj-qershor do të kemi vaksinim masiv kundër koronavirusit”, që siç theksoi “do të këpusë si sëpatë zinxhirin e infektimeve duke mundësuar të çlirohemi pjesërisht por në mënyrë të konsiderueshme nga barra e madhe e ankthit, pasigurisë, merakut për njerëzit tanë më të afërt, për më të moshuarit, ata me sëmundje kronike”.
Në një tjetër zhvillim, mjeku Tritan Kalo njoftoi se dha dorëheqjen duke u larguar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve e siç vuri në dukje “politika ia doli të përçajë mjekët”. Ndërkaq, paralelisht me këtë zhvillim, kolegia e tij, Najada Çomo u përfshi në listat e kandidatëve për deputetë të PS-së.
Sot gjatë prezantimit të programit “Shëndetësia që duam”, kryeministri Rama iu referua shefes së Infektivit në QSUT si “komandante e vijës së zjarrit në luftën me COVID”-in. Rama bëri dhe një premtim kur iu drejtua Çomos me fjalët: “Të jap fjalën se nuk duam të bëhesh si ne por ne të bëhemi si ti!”.