Aktualitet

Deri tani nuk ka shqiptarë të prekur nga tërmeti në Turqi!

Ambasadori i vendit tonë në Turqi, Kastriot Robo konfirmoi për mediat se nuk ka shqiptarë të prekur nga tërmeti shkatërrimtar që sot goditi këtë vend, si edhe Sirinë duke shkaktuar mbi 1 mijë e 500 viktima.

Robo u shpreh se operacionet e skuadrave të kërkim-shpëtimit vazhdojnë në terren, por sipas tij, nga komunikimet me Ministrinë e Brendshme turke, deri në këto momente, nuk ka të dhëna se shtetas shqiptarë apo turq me origjinë shqiptare, të rezultojnë të prekur nga tërmeti.

Ne si ambasadë jemi interesuar që nga momenti i parë dhe fatmirësisht deri tani nuk na rezulton se ka shqiptarë të prekur nga tërmeti. Nga komunikimet me përfaqësues të komunitetit shqiptar në atë zonë, na kanë informuar se ishte tërmet shkatërrues dhe i frikshëm.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë akoma. Nga komunikimi me Ministrinë e Brendshme turke, nuk ka të dhëna se ndonjë shtetas shqiptar ose shtetas turk me origjinë shqiptare të rezultojë i prekur nga tërmeti. Ne po e ndjekim ecurinë në vijimësi të situatës. Fatmirësisht, deri tani nuk na rezulton të ketë shqiptar të prekur nga tërmeti. Në Ankara nuk është ndjerë, ose mund të jetë ndjerë fare pak.

Më herët përmes një postimi në rrjetet sociale, Konsullata jonë në Stamboll iu bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti, të kontaktojnë në numrat e emergjencës në Stamboll: +90 539 656 6219 dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Ankara në: +90 549 561 1985.

Në dy anët e kufirit, Turqi-Siri banorët ishin në gjumë kur ndodhi lëkundja dhe dolën jashtë në mot të ftohtë, me borë e reshje shiu.

Në Turqi, tërmeti i shoqëruar me dhjetëra postgoditje, disa prej tyre edhe të forta, preku Gaziantepin, Kahramanmarashin, Hatain, Osmanijen, Adijamanën, Malatinë, Shanliurfën, Adananë, Dijarbakirin dhe Kilisin.  Aty gjenden shumë refugjatë sirianë të zhvendosur që nga koha e luftës civile në Siri për t’iu shpëtuar luftimeve të ashpra.