Aktualitet Bota

Mbi 1.500 viktima nga tërmeti në Turqi e Siri/Për shqiptarët në zonat e prekura vihen në dispozicion numra emergjence!

Ndërsa vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për personat e mbetur nën rrënoja nga tërmeti me magnitudë 7.8 i shkallës Rihter që sot në mëngjes gjunjëzoi Turqinë dhe Sirinë, bilanci i viktimave sa vjen e rritet.

Për momentin, raportohet për mbi 1 mijë e 500 persona që ndërruan jetë e mijëra të plagosur, afro 6 mijë e 500. Lëkundja shkatërrimtare me epiqendër në Gaziantep, në thellësinë 24.1 km u shoqërua me dhjetëra pasgoditje. Në Turqi konfirmohen 912 vetë që ndërruan jetë e rreth 5 mijë e 400 të lënduar. Në Siri janë 592 viktima, 371 prej tyre në Aleppo, Hama, Latakia e Tartus. Por, shifrat mbeten provizore.

Edhe Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Stamboll i shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave e popullit turk për humbjen e njerëzve të dashur nga tërmeti që ra në zonën lindore të Turqisë e ku janë prekur 10 provinca.

Ekipet e shpëtimit dhe emergjencave ndodhen në terren duke vijuar punën pa ndalim për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve. Të mbijetuarve të kësaj tragjedie i urojmë shërim sa më të shpejtë!

Në postimin e saj në rrjetet sociale, Konsullata i bën thirrje qytetarëve shqiptarë që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti, të kontaktojnë në numrat e emergjencës në Stamboll: +90 539 656 6219 dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Ankara në: +90 549 561 1985.

Shqipëria e Kosova janë mes vendeve që ofruan ndihmë për shtetin turk. Kryeministri Rama bëri të ditur dërgimin e një misioni shpëtimi solidariteti. Organizatat humanitare apeluan për asistencë urgjente kryesisht në tenda për strehim, ushqime, ilaçe e të tjera. Në veçanti, thirrja iu drejtohet Bashkimit Europian, Kombeve të Bashkuara e komunitetit ndërkombëtar në tërësi.

Një tjetër problematikë lidhet me faktin se qindra mijëra refugjatë të zhvendosur nga Siria për shkak të luftës janë vendosur në zonat e Turqisë të goditura nga tërmeti më i fuqishëm i mbi 100 viteve të fundit. Sipas të dhënave të Human Rights Watch, Turqia ka pranuar 3.6 milion sirianë.