Film & Tv Showbiz

Disney në gjyq, paditet nga Scarlett Johansson!

Scarlett Johansson është xhindosur nga vendimi i fundit i gjigantit amerikan The Walt Disney Company për “Black Widow” ku interpreton protagonisten Natasha Romanoff.

Aktorja e njohur hollivudiane denoncon si shkelje të kontratës faktin që filmi do të shfaqet si në salla kinemaje ashtu edhe në platformën streaming Disney+.

Duket se qëllimi i kompanisë është të rrisë çmimet e aksioneve por Johansson është gati për betejën ligjore me House of Mouse. Avokatët e saj i janë drejtuar një gjykate në Los Anxhelos.

Kontrata përcaktonte se pagesa e Johansson-it do të bazohej në fitimet pasi realizimi të shfaqej në salla kinemaje.

Përfaqësuesit e mbrojtjes theksuan:

Nuk përbën sekret që Disney ka menduar që “Black Widow” të jetë edhe në Disney+ pasi kërkon më shumë abonentë e për pasojë të rrisë vlerën e aksioneve të kompanisë. Për këtë po përdor si pretekst pandeminë COVID-19.

Por të shpërfillësh kontratat e artistëve që kanë meritën për suksesin e filmave të caktuar, në favor të kësaj strategjie miope, shkel të drejtat e tyre dhe presim me padurim që këtë gjë ta dëshmojmë në gjykatë.

Sipas gazetës Washington Post, aktorja Scarlett Johansson është në kërkim të një shume parash, si një lloj dëmshpërblimi për të ardhurat e munguara nga shfaqja e filmit edhe në platformën Premier të Disney Plus.