Aktualitet Travel

Ditët më të mira për turizmin në vend, shifrat e konfirmojnë!

Këtë vit, Shqipëria pritet të ketë sezonin më të mirë turistik sa i përket turistëve të huaj, duke ia tejkaluar dhe vitit 2019 para pandemisë, që deri tani mbante rekordin. Ashtu si dhe në maj, në qershor, numri i shtetasve të huaj që hynë në vend u rrit ndjeshëm, duke bërë që për 6 mujorin, ardhjet e turistëve të rriten po ndjeshëm në raport me 2019-n.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, për periudhën janar-qershor, në vend kanë hyrë gjithsej 2.5 milion shtetas të huaj, me një rritje prej 16.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-ës.

Në raport me 6 mujorin e një viti më parë, rritja është 37.5%. Vetëm në qershor, hynë 876 mijë shtetas, rritje prej gati 40% në krahasim me qershorin 2019. Në raport me të njëjtin muaj të 2021-shit hynë 43% më shumë të huaj.

Shtetasit nga Kosova vijojnë të mbajnë peshën më të lartë, si në totalin e të huajve që hyjnë në vend, ashtu dhe për ndikimin në rritjen e hyrjeve. Sipas INSTAT-it, në qershor, në vend hynë gati 400 mijë shtetas nga Kosova ose 45% e totalit, thuajse dy herë më shumë se e njëjta periudhë e 2019-ës. Ndërsa për 6 mujorin, hyrjet e shtetasve nga Kosova zinin 39% të totalit.

Për 6 mujorin e parë, vetëm hyrjet e shtetasve nga Greqia nuk e kanë tejkaluar nivelin e para pandemisë. Pas Kosovës, rritjen më të lartë në numër e kanë shënuar shtetasit nga Italia, me 24%. Nga Anglia pati 34% më shumë hyrje, nga Gjermania me 24%. Ndërsa hyrjet e polakëve u rritën me vetëm 1% në janar-qershor (gjithnjë në raport me 2019-n), por fluksi i tyre ka filluar në qershor, me rritje të hyrjeve me 9.5%.

Lëvizjet e shtetasve, sipas INSTAT-it

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Qershor 2022, janë 1.359.501. Ky tregues rezulton me një rritje 44.6%, krahasuar me Qershor 2021.

Në Qershor 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 876.056. Ky numër është rritur me 45.0%, krahasuar me Qershor 2021. Gjatë gjashtëmujorit të parë 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Greqia ka pasur rritjen më të madhe me 5.1 herë, ndërsa Kosova ka pasur rritjen më të ulët me 12.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Daljet e shtetasve

INSTAT vlerëson se daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit qershor 2022, janë 1.262.925 duke shënuar një rritje me 44.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Qershor 2022 janë 498.857. Krahasuar me Qershor 2021, ky numër është rritur me 34.2%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Qershor 2022, janë 764.068. Krahasuar me Qershor 2021, ky numër është rritur me 52.3%. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë gjashtëmujorit të parë të 2022, është 2.519.533 duke u rritur 47.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Monitor