Bota

Eksportet e grurit ukrainas, BE në kërkim të rrugëve alternative!

Pavarësisht rifillimit të eksporteve të grurit nga portet e Detit të Zi, sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia midis Rusisë e Ukrainës më 22 korrik, BE-ja synon të vazhdojë përpjekjet për të krijuar rrugë alternative mallrash për eksportet e grurit ukrainas. Një zyrtar i Komisionit Europian deklaroi:

Megjithë rihapjen e rrugëve detare, një kthim i menjëhershëm në nivelet e paraluftës të eksporteve të Ukrainës mbetet sfidues dhe rrugët alternative të eksportit ende janë vendimtare.

Komisionerja europiane për Transportin, Adina Valean theksoi se “kishte hapësirë ​​për përmirësime”, por vuri në dukje edhe mungesën e vagonëve të mallrave, shoferëve të mauneve e objekteve të magazinimit për prodhimet ukrainase. Sipas Brukselit zyrtar, Ukraina ishte eksportuesja më e madhe në botë e vajit të lulediellit, eksportuesja e tretë më e madhe e elbit, eksportuesja e katërt më e madhe e misrit dhe eksportuesja e pestë më e madhe e grurit, përpara fillimit të pushtimit të Ukrainës nga trupat ruse, më 24 shkurt të këtij viti.

Por, aktualisht, shpresat janë të lidhura me marrëveshjen me Rusinë që mundëson rifillimin e eksporteve të rregullta bujqësore ukrainase nëpërmjet Detit të Zi. Sipas shifrave zyrtare të Unionit, para luftës, deri në pesë milion tonë drithë kalonin çdo muaj nëpër portet e Detit të Zi. Arritja përsëri në të ardhmen e afërt e këtij niveli, konsiderohet e pamundur.

Në një tjetër zhvillim, Volodymyr Zelensky kritikon ashpër arkitekturën e sigurisë në botë si tërësisht të papërshtatshme, duke vënë në dukje jo vetëm luftën në vendin e tij, por edhe konfliktet në Ballkan, Tajvan e Kaukaz. “Të gjitha këto situata duken të ndryshme, megjithatë ato janë të bashkuara nga një faktor, ai që arkitektura globale e sigurisë nuk funksionoi”, – tha presidenti ukrainas në fjalimin e përditshëm.

Zelensky akuzoi edhe një herë Rusinë për shkelje të ligjit ndërkombëtar me pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Vitin 2014 e quajti “pikë kthese”, pas së cilës komuniteti ndërkombëtar thjesht e la Rusinë të bënte veprime të paligjshme si aneksimi i Krimesë ose rrëzimi i fluturimit 17 të “Malaysia Airlines” mbi rajonin e Donbasit në Ukrainën Lindore.