Bota

Niset drejt Libanit, anija e parë më drithëra nga Ukraina!

Inspektimi i anijes së parë që transportonte drithin ukrainas përfundoi dhe së shpejti pritet të kalojë përmes ngushticës së Bosforit për në destinacionin përfundimtar, në Liban. Kjo bëhet sipas një akordi të ndërmjetësuar nga OKB-ja, për të rifilluar eksportet e grurit nga vendi i shkatërruar nga lufta.

Anija transportuese, Razoni, e regjistruar në Sierra Leone shkoi në brigjet turke paraditen e sotme. Mjeti lundrues po transporton misër. Ministria turke e Mbrojtjes tha se inspektimi u krye nga një ekip prej 20 personash. Sipas marrëveshjes, inspektimi i drithit realizohet nga një qendër e posaçme e përbashkët koordinimi, e përbërë nga zyrtarë civilë dhe ushtarakë nga Ukraina e Rusia, si dhe përfaqësues nga Turqia e OKB-ja.

Në përputhje me procedurën për të cilën palët kanë rënë dakord, inspektimet nuk do të bëhen në portin e Stambollit, por në det, në ngushticën e Bosforit që lidh Detin e Zi me atë Marmara e në detin Egje. Mediat janë paralajmëruar të qëndrojnë larg anijes.

Admirali turk, Ozcan Altunbulak, koordinator në qendrën e përbashkët, tha se “përgatitjet dhe planifikimi po vazhdojnë për anijet e tjera që pritet të largohen nga portet e Ukrainës”. Një zyrtar i lartë turk i cili foli në kushte anonimati, i tha agjencisë Reuters një ditë më parë se “Ankaraja pret që një anije me drithëra të largohet çdo ditë nga portet ukrainase, për aq kohë sa qëndron në fuqi marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB-ja”.

Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, eksportet e grurit ukrainas nga tri porte të Detit të Zi do të rikthehen në nivelet e paraluftës, prej rreth 5 milion tonë në muaj. Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, por pushtimi i vendit nga Rusia dhe bllokada e saj detare e porteve të Ukrainës i kanë ndaluar dërgesat.