Tech

Elon Musk kërcënon të ndalojë përdorimin e pajisjeve Apple në kompanitë e tij!

Miliarderi i teknologjisë Elon Musk u zotua së fundmi të ndalojë përdorimin e pajisjeve Apple në kompanitë e tij pasi prodhuesi i iPhone njoftoi një partneritet me OpenAI, krijuesin e ChatGPT. “Nëse Apple integron OpenAI në nivelin OS, atëherë pajisjet Apple do të ndalohen në kompanitë e mia. Kjo është një shkelje e papranueshme e sigurisë”-ka thënë Musk.

“Vizitorëve do t’u kontrollohen pajisjet e tyre Apple në derë, ku do të ruhen në një ‘kafaz;”-shtoi Musk, i cili është gjithashtu CEO i prodhuesit të automjeteve elektrike Tesla dhe prodhuesit të raketave SpaceX. Deklaratat e tij erdhën pasi Apple njoftoi se po bashkëpunon me OpenAI për të vendosur ChatGPT në asistentin zanor Siri. “Është krejtësisht absurde që Apple nuk është mjaftueshëm i zgjuar për të krijuar AI-n e vet. Apple nuk e ka idenë se çfarë do të ndodhë në të vërtetë pasi t’i dorëzojë të dhënat tuaja OpenAI”.

Rikujtojmë se javën e ardhshme, aksionerët e Tesla-s do të votojnë për paketën e propozuar të pagesave prej 56 miliardë dollarësh nga Elon Musk. Nëse paketa nuk miratohet, ekziston mundësia që ai të largohet nga kompania e makinave elektrike. Robyn Denholm, kryetar i bordit të Tesla-s, shkroi një letër drejtuar aksionerëve se Musk mund të kalonte kohën e tij duke punuar në vende të tjera”nëse paketa e tij e pagave nuk miratohet.

Musk aktualisht mban role drejtuese në të paktën pesë kompani të tjera duke përfshirë SpaceX, X, xAI, Neuralink dhe Boring Co. “Një gjë që Elon me siguri nuk ka është koha”-shkroi Denholm. Miliarderi i teknologjisë së fundmi ka akuzuar platformën WhatsApp për abuzim të të dhënave të përdoruesve, për të cilën kanë reaguar ashpër nga ky aplikacion. “WhatsApp eksporton të dhënat e përdoruesve çdo natë”-shkroi Musk në platformën X, duke thënë se kjo është bërë për një vendosje më të mirë të reklamave. Kjo shkaktoi një debat të nxehtë në rrjetet sociale dhe ka ardhur reagimi nga CEO i WhatsApp, Will Cathcart.