Tech

Elon Musk akuzon platformën WhatsApp për abuzim të të dhënave të përdoruesve!

Pronari i platformës X, Elon Musk, ka akuzuar platformën WhatsApp për abuzim të të dhënave të përdoruesve, për të cilën kanë reaguar ashpër nga ky aplikacion. “WhatsApp eksporton të dhënat e përdoruesve çdo natë”-shkroi Musk në platformën X, duke thënë se kjo është bërë për një vendosje më të mirë të reklamave. Kjo shkaktoi një debat të nxehtë në rrjetet sociale dhe ka ardhur reagimi nga CEO i WhatsApp, Will Cathcart.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ne e marrim seriozisht sigurinë e përdoruesit dhe kjo është arsyeja pse të dhënat tuaja janë të koduara. Ne as nuk i marrim ato mesazhe dhe as nuk i eksportojmë ato gjatë natës”-iu përgjigj ai postimit të Musk. Nuk është e qartë se çfarë prova ka Musk për këto pretendime, por eksperti i sigurisë kibernetike, Tommy Misk theksoi se WhatsApp nuk ndan mesazhe, por ndan disa të dhëna si vendndodhjen e përdoruesve, kontaktet ose aktivitetet në internet.

WhatsApp ka mbi 3 miliardë përdorues aktiv mujorë, duke e bërë atë një nga aplikacionet më të njohura të mesazheve në mbarë botën. Pavarësisht popullaritetit, përdoruesit kanë dëshiruar më shumë opsione të personalizuara. Me sa duket, ndryshime të tilla do të prezantohen së shpejti. Në versionin më të fundit beta të WhatsApp për iOS, mediat e huaja kanë zbuluar se Meta po ndërhyn me një veçori të re. Me funksionin e ri, përdoruesit do të jenë në gjendje të zgjedhin një ngjyrë dhe sfond të ri për temën e paracaktuar të bisedës.