Celebrities Film & Tv Gossip Showbiz

Ëndrra e bukur e Efit nga e skualifikuar, në finalen e BBVIP Albania!

Edicioni i dytë i Big Brother Vip Albania po i afrohet fundit me finalen e së shtunës së 6 majit, duke mbyllur një rrugëtim të jetuar minutë pas minute me emocion nga banorët dhe padyshim prej publikut, si mbështetësi më i madh e që nuk lë t’i shpëtojë gjë.

Dhe në fund, vetëm katër ia dolën të jenë pjesë e natës së madhe. Secili me veçantinë e tij, karakterin ndryshe, lojën, strategjinë… Nga 24 dhjetori 2022 kur spektakli ngriti siparin, çfarë nuk ka ndodhur. Por, tani të zotët e shtëpisë janë Luizi, Efi, Dea Mishel e Kristi, të cilët do të “luftojnë” për Çmimin e Madh.

Efi ishte e dyta që preu biletën për në finale dhe nuk ka diskutim që përbënte suprizën më të madhe, po të kemi parasysh që aventura e saj u ndërpre në fillim të shkurtit kur Dea Mishelit iu dha mundësia ta çonte në votim me çiftin Luiz-Kiara, që publiku preferoi të mos e ndante atë natë.

Kështu, publiku e nxori jashtë vajzën e bërë të njohur nga programi “Përputhen” në Top Channel e që në BBV hyri si konkurrente me Mikelën, por në fillim të janarit për shkak se mendonte se po i penalizonte lojën, kërkoi të ndahej prej saj. Biletën e fatit që nuk dihej nëse përfshinte kthimin, preferoi që ta mbante shoqja.

Dhe e lamë te dalja e Efit.. një dalje që “nxori nga shinat” Luizin. Ai reagoi mjaft ashpër duke iu drejtuar Arbanës me pyetjen se si mund t’i lihet kaq shumë pushtet në dorë një banori, siç iu la Deas që dhe e shfrytëzoi ashtu siç tregoi.

Luizi ishte njeriu për të cilin, Efit brenda shtëpisë iu desh të duronte dhe akuza të tipit se “ishte ushtarja e tij e bindur”, që e mbështeste në çdo hap. Efi doli, madje e kënaqur kur mësoi sa të shumtë ishin ata që e përkrahnin jashtë dhe për të rimarrë energjitë, mendoi për një palë pushime në Tajlandë, shumë të komentuara në rrjetet sociale.

Por, jetës nuk i dihet dhe fillimi i muajit që po lëmë pas solli një të papritur të këndshme për Efi Dhedhes. Me Kiara Titon, Ronaldo Sharkon e Bledi Manen, Efi rihyn në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, pasi kështu vendosi publiku.

Rikthimi nuk ishte fushë me lule, nga Luizi nuk gjeti mbështetjen e lënë kur herën e parë iu mbyll dera e Vodafone-it. Edhe me Kiarën gjërat nuk ishin si më parë, “kohët e lumtura” i eklipsuan debatet e acaruara. Më pas erdhi përqafimi i paqes mes të dyjave, por tubullirat vazhduan dhe tani “lufta” është me Luizin, me debate, akuza, sharje.

Në kaq kohë, Efi e pranon se me “luanin” kanë faktorizuar njëri-tjetrin, por kurrsesi se Luizi është arsyeja që ajo është në finale. Po, finale… Të presim 6 majin edhe pse deri atëherë janë dhe gjashtë ditë për të ndjekur të mbërthyer pas ekranit e jo vetëm dinamikat e shtëpisë së katër banorëve finalistë. Ndërkaq, mos harroni sot, nga ora 15:00 në Top Albania Radio me emisionin Big Brother-Live nga Shtëpia.