Celebrities Music South Outdoor Festival - News

Eugent Bushpepa elektrizon skenën e “South Outdoor Festival”!

“South Outdoor Festival” u rikthye edhe këtë vit me edicionin e tij të 4-të, në Borsh. Një event unik dhe i paharrueshëm që bëri bashkë disa nga artistët më të mirë shqiptarë dhe jo vetëm. Natën e parë i gjithë publiku kishte kënaqësinë të dëgjonte Dj Boocky, Urban Band, West Side Family, Orgesa Zaimi dhe Jericho. Për të gjithë ata që nuk patën mundësi të shijonin live performancat në këtë festival, Top Albania Radio solli për të gjithë dëgjuesit emocionet e festivalit në valët e radios suaj të preferuar.

Ditën e shtunë, të ftuar për të performuar ishin Marsela Çibukaj dhe Vitmar Basha, Urban Band, Offchestra, Dj Mickey dhe Mahmut Orhan. Ndërsa ditën e djeshme performuan Abel Dj, Urban Band, Dj Mickey, Nana Darkman dhe Eugent Bushpepa. E nuk kishte si të mungonte një atmosferë e zjarrtë dhe elektrizuese ku Eugenti me performancat e tij arriti të ndizte skenën dhe të përçonte tek publiku emocione të mëdha.

Eugent Bushpepa di se si ta ngrejë publikun në këmbë me zërin e tij potent dhe unik dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe as në këtë event. I gjithë publiku gjatë momenteve ku Bushpepa performonte, ishte aty për të brohoritur dhe për t’i dhënë zemër artistit me duartrokitjet e tyre.

Mund të themi me plot gojën që Eugent Bushpepa është një rocker i mirëfilltë dhe një këngëtar i talentuar, me të cilin ne krenohemi. Vokali dhe timbri i tij i pashoqë, të bën ta dëgjosh e ta ridëgjosh dhe ta kërkosh gjithmonë e më shumë që të jetë pjesë e skenës. Performancat e tij drithëruese janë për t’u vlerësuar dhe admiruar. Që nga dalja e tij e parë publike e deri më sot, fansat e Eugentit sa vijnë e shtohen dhe patjetër që ai ja shpërblen më së miri adhuruesve të tij të flaktë, duke i falur kënaqësinë e dëgjimit të këngëve të tij unike.