Ashtu si me Moldavinë, Shqipëria e futbollit ia doli dhe në Ishujt Faroe. Në transfertën e një nate më parë, kuqezinjtë fituan me rezultatin 1-3. Ky ishte i dyti sukses radhazi pas fitores së 17 qershorit me Moldavinë, duke përfituar dhe nga humbja 3-2 e Polonisë në Moldavi. Tashmë, skuadra e Sylvinhos kap vendin e dytë në Grupin E të eliminatoreve të “Euro 2024”-ës.
Ishte Nedim Bajrami i cili zhbllokoi takimin (20′) pas asistit të Jasir Asanit. Sokol Cikalleshi humbi një penallti për 0-2. Nëse nuk shënon do e pësosh dhe në “limitet” e fraksionit të parë, vendasit barazuan me anë të Odmar Faero.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë dominuan dhe shënuan dy gola të bukur me anë të Kristjan Asllanit dhe Ernest Muçit. Që të dy ata, gjetën golat e parë zyrtarë me Kombëtaren Shqiptare.
Duket se kalimi në epërsi u dha dhe më tepër besim në vetvete lojtarëve të Kombëtares, që mbizotëruan në fushën e lojës dhe në minutën e 32-të Cikalleshi fitoi një 11-metërsh, duke e marrë vetë përsipër përgjegjësinë, por u ndal nga portieri vendas. Pikërisht në minutën e vetme shtesë, Ishujt Faroe goditën, duke barazuar shifrat pas një goditjeje këndi, me anë të Feros.
Por, pjesa e dytë nisi sërish me kuqezinjtë në kërkim të golit dhe do të ishte Kristjan Asllani ai i cili do të godiste mjeshtërisht nga jashtë zone, pas një goditjeje këndi, duke mposhtur portierin vendas e “përshëndetur” rrjetën.
Ndonëse Kombëtarja Kuqezi vijoi të ndërtonte e shpërdoronte raste mjaft të volitshme për shënim, madje duke rrezikuar të ndëshkohet sërish, duhej pritur minuta e parë shtesë e kohës së rregullt kur i sapofuturi Ernest Muçi të bënte golin që do të vuloste fitoren e Shqipërisë me shifrat 3-1 ndaj Ishujve Faroe e duke marrë vendin e dytë të renditjes.
Grupi E, ku bën pjesë dhe Shqipëria kryesohet nga Çekia, me 7 pikë në tre ndeshje, e ndjekur nga Shqipëria me 6, ndërkohë që më pas renditen Moldavia me 5, Polonia me 3 e Ishujt Faroe në fund me vetëm 1 pikë.