Bota

Familjarëve të Kobe Bryant u kërkohet tani një ekzaminim psikiatrik! Arsyeja…

Në muajin qershor u bë e ditur se familja e Kobe Bryant dhe ajo e viktimave të rrëzimit të helikopterit në kodrat e Calabasas në janar të vitit 2020, ku humbën jetën ylli i basketbollit të NBA-së, vajza e tij 13-vjeçe Gianna dhe 7 persona të tjerë, arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund procedurave ligjore kundër pilotit dhe kompanisë së avionit, siç raportohej nga mediat amerikane.

Një raport nga Autoriteti i Sigurisë së Transportit (NTSB) ia atribuoi aksidentin gabimit të pilotit, duke fajësuar gjithashtu kompaninë për shkeljet e politikës së sigurisë. “Island Express Helicopters”, të cilët vetë kishin paditur dy kontrollorë të trafikut ajror, kishin mohuar çdo përgjegjësi. Familjarët e viktimave, përfshirë Vanessa Bryant, e veja e yllit të Los Angeles Lakers, kishin paditur përfituesit e pilotit Ara Zobayan, i cili vdiq në aksident dhe kompaninë që zotëron helikopterin, “Island Express Helicopters”.

Megjithatë edhe sot e kësaj dite, aksidenti me helikopter, që vrau Kobe Bryant dhe vajzën e tij Gigi, vazhdon të ngjallë përplasje mes bashkëshortes së ish-lojtarit të Lakers dhe kompanisë që zotëronte mjetin fluturues, në bordin e të cilit në momentin e rrëzimit humbën jetën edhe shtatë persona të tjerë. Vanessa Bryant vendosi të padiste qarkun e Los Angeles, pasi disa agjentë morën fotografi të aksidentit pa leje dhe i përdorën për arsye personale. Tani është vetë qarku i Los Angeles që ka vendosur të kundërpërgjigjet duke kërkuar që bashkëshortja e Bryant t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik.

Me këto dëshmi, mbrojtja e qarkut në Kaliforni do të përpiqet të dëshmojë se Vanessa pësoi depresion dhe ankth emocional për shkak të humbjes së bashkëshortit dhe vajzës së saj dhe jo për shkak të fotove që u zbuluan. Sipas mediave të huaja, mbrojtja e Los Angeles po kërkon një urdhër gjykate për të siguruar të dhënat mjekësore si pjesë të mbrojtjes. Avokati mbrojtës i qarkut të Los Angeles është shprehur se:

Qarku paraqet këtë kërkesë për t’i detyruar paditësit që t’i kryejnë këto teste të cilat janë të nevojshme për të vlerësuar ekzistencën, shtrirjen dhe natyrën e dëmtimeve të pretenduara emocionale. Paditësit nuk mund të pretendojnë se vuajnë nga depresioni, ankthi dhe shqetësime të rënda emocionale dhe më pas të refuzojnë provat për të mbështetur këto pretendime. Ata nuk mund të vuajnë nga shqetësimet për fotografitë e vendit të rrëzimit, që ata kurrë nuk i kanë parë dhe që nuk janë publikuar kurrë. Paditësit po kërkojnë dhjetëra miliona dollarë për t’i kompensuar për dëmtimet e tyre të supozuara mendore dhe emocionale. 

Rikujtojmë, se Vanessa Bryant, e veja e basketbollistit të NBA-së së fundmi ka akuzuar kompaninë “Nike” për shitjen e atleteve për nder të vajzës së saj të ndjerë Gianna. Përmes një postimi në Instagrami, bashkëshortja e Kobe ka treguar se atletet nuk janë aprovuar për prodhim apo shitje dhe kontrata mes saj dhe kompanisë ka skaduar.