Aktualitet

Festohet Fitër Bajrami, besimtarët myslimanë falin namazin/Kreu i KMSH-së, Spahiu thirrje të rinjve: Mos e braktisni vendin!

Myslimanët kudo në botë sot festojnë fillimin e Fitër Bajramit, festës së rëndësishme që shënon fundin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit agjërohet. Fitër Bajrami treditor, një nga dy festat kryesore të Islamit është shënuar me faljen e namazit në të gjitha qytetet e fshatrat e Shqipërisë ku ka besimtarë myslimanë që kanë shkëmbyer mesazhe paqeje.

Në orët e para të mëngjesit, besimtarë të shumtë falën Namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Ceremonia vazhdoi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili për të pranishmit përcolli urimet e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë. Po ashtu, iu bëri thirrje edhe të rinjve të mos e braktisin vendin, por të qëndrojnë këtu për të forcuar kombin.

Të dashur agjërues, mëngjesi i kësaj dite është më i bukuri e më kuptimploti për të gjithë ne. Kemi Bajram dhe kjo na qëllon në ditën më të bukur të javës, ditë bajrami e xhumaje. Kemi përjetuar një muaj sakrifice dhe ngritje shpirtërore, e lusim Zotin të na ketë pranuar këtë sakrificë, Ai është shpërblyesi më i mirë. Ky muaj na ka bashkuar në bamirësi e solidaritet, në paqe e dashuri me njëri-tjetrin.

Motra dhe vëllezër, kujdesuni që kombi ynë të rritet nëpërmjet virtytit! Secili nga ne e ka detyrë të kontribuojë për të frenuar mpakjen e kombit. Po pakësohemi dita-ditës. Ne që kemi qenë një nga popujt me moshën më të re në Europë po plakemi me ritme shumë të shpejta. Pse duhet të zgjedhim rrugën më të lehtë, braktisjen e vendit, në vend të qëndrimit këtu dhe të forcimit të kombit tonë. Të lindim fëmijët këtu, t’i rrisim këtu në vendin tonë si qytetarë me virtyte dhe të dorës së parë në vend që t’i çojmë si qytetarë të dorës së dytë nëpër botë!

Kleriku kujtoi edhe 100-vjetorin e themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Ka qenë një rrugëtim i mundimshëm, por i bukur. Jemi krenarë për historinë tonë. Jemi krenarë për paraardhësit tanë në këtë shekull. Ne i kemi dhënë dhe vazhdojmë t’i japim kësaj shoqërie, këtij kombi vlerat më të larta e më të sinqerta. Falë besimtarëve dhe drejtuesve të besimeve në Shqipëri, ne i kemi kontribuar këtij kombi një nga vlerat me të cilat krenohemi të gjithë, kudo, harmoninë dhe dialogun ndërfetar. I tillë do të vazhdojë ky kontribut edhe në të ardhmen. Për të patur vazhdimësi kjo vlerë e komuniteteve fetare, duhet që çdo komponent i shoqërisë tonë të kujdeset për të mbrojtur meritën dhe ta shpërblejë atë, kudo që ndodhet.