Sport

Finalja e Europianit, sytë edhe nga tribuna e Wembley-t!

Nga zyrat më të larta shtetërore te përfaqësuesit e Familjes Mbretërore, si edhe personalitete të televizionit, muzikës e argëtimit. Tribuna e “Wembley”-t, sonte përgatitet të mirëpresë shumë fytyra të njohura, me rastin e finales së “Euro 2020” Itali-Angli.

Italinë do ta përfaqësojë vetë Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, i shoqëruar në Londër nga kreu i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina. Kryeministri Mario Draghi nuk do të jetë, një mungesë e justifikuar nga protokolli institucional, që për ngjarje të këtij lloji përjashton praninë shoqëruese të Kryetarit të Shtetit.

E sikur të mos ishte kjo, nuk duhet harruar se Draghi dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel ishin kundër konfirmimit të Londrës si vendi i finales, për shkak të rritjes së infektimeve në Britaninë e Madhe nga varianti Delta i koronavirusit.

Sigurisht që sonte “Wembley”-t nuk do t’i mungojnë kryeministri Boris Johnson e bashkëshortja, Carrie. Nuk dihet nëse shefi i Qeverisë së Londrës do të mbajë apo jo fanellën e bardhë të veshur në gjysmëfinalen e Anglisë me Danimarkën më 7 korrik.

Gjithashtu nuk diskutohet prania e princit William, President Nderi i Shoqatës Angleze të Futbollit, si dhe përfaqësues i Familjes Mbretërore, trashëgimtari i dytë i fronit por Dukesha Kate nuk e shoqëron.

Sa i përket të tjerë emrave të njohur që sonte do të kemi mundësi t’i shohim në tribunën e “Wembley”-t, konfirmohet presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i shoqëruar nga ikona e futbollit anglez, David Beckham, prezent në të gjitha ndeshjet e Tre Luanëve.

Një ftesë e veçantë iu dërgua edhe danezit Christian Eriksen e mjekëve që i shpëtuan jetën gjatë infarktit kardiak në ndeshjen e 12 qershorit të Danimarkës kundër Finlandës. Mes 67 mijë tifozëve konfirmohen gjithashtu Robbie Williams, Noel Gallagher, Adele, gazetari Piers Morgan dhe komediani James Corden.

Më në fund, mungesa provokuese, e konfirmuar edhe për finalen, e deputetit konservator Lee Anderson, në polemikë të hapur me zgjedhjen e lojtarëve anglezë të Kombëtares. Bojkoti personal i Anderson-it vazhdon, por ai ka bërë të ditur se do të njoftohet për rezultatin e ndeshjes përmes telefonit celular.