Botë e Çuditshme

Frymëzoi një këngë të famshme të grupit ‘Nirvana’, ura legjendare në rrezik!

Ura legjendare Young Street në Aberdeen, Uashington, ku Nirvana mbylli albumin historik ‘Nevermind’ me këngën ‘Something in the Way’ është drejt shkatërrimit. Në këtë vend Kurt Cobain imagjinoi se si do të ishte jeta e tij nëse do të jetonte nën urë. Ura, e cila lidh veriun e Aberdeen-it me zonën e qendrës së qytetit, u ndërtua në vitin 1956 dhe frymëzoi tekstin klasik të këngëtarit të Nirvana-s, “Something in the Way”.

Pas vdekjes së Kurt Cobain, ai u bë një lloj memoriali dhe aktualisht “pret” urimet dhe mbishkrimet lidhur me Nirvana. Por, sipas një faqe interneti të krijuar nga Këshilli i Qytetit të Aberdeen, ura është në rrezik për shkak të vjetërsisë së saj.

Me një grant prej 23 milionë dollarësh nga qeveria federale e SHBA, qyteti shpreson të riparojë urën dhe të nderojë Kurt Cobain, megjithëse vetë struktura origjinale mund të shkatërrohet. Autoriteti bashkiak i qytetit po shqyrton tre mundësi, e para është restaurimi i urës, e dyta është ruajtja e pjesëve të saj dhe zëvendësimi i të tjerave dhe e treta është zëvendësimi i plotë i saj.

Rikujtojmë, se një kitarë e thyer nga Kurt Cobain, ish-vokalisti i grupit Nirvana, është shitur së fundmi në një ankand për 600 000 dollarë. Kitara e zezë Fender Stratocaster, që është përdorur nga Cobain, i cili vrau veten në vitin 1994, mendohej se nuk do të shitej më shumë se 100 mijë dollarë. Kjo kitarë është rregulluar për ankandin, por me të nuk mund të bësh muzikë. Ajo ka firmat e tre anëtarëve të grupit dhe një shënim të vetë Kurt Cobain.

Më 5 prill të vitit të kaluar u mbushen 29 vjet nga vdekja e yllit të rokut, Kurt Cobain, liderit të grupit Nirvana, por ujërat janë trazuar nga pretendimet se është vrarë e jo vetëvrarë me armë zjarri, në moshën 27 vjeçare. Për këtë është i bindur gazetari investigativ kanadez, Ian Halperin, i njohur edhe si shkrimtar e autor dokumentarësh. Ai po sfidon të venë e Cobain-it, aktoren e këngëtaren e njohur, Courtney Love që t’i nënshtrohet poligrafit për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth vdekjes së Cobain-it, në vitin 1994.