Bota Celebrities Music

Rreth 29 vjet nga vdekja/U vra Kurt Cobain?

Më 5 prill mbushen 29 vjet nga vdekja e yllit të rokut, Kurt Cobain, liderit të grupit Nirvana, por ujërat janë trazuar nga pretendimet se është vrarë e jo vetëvrarë me armë zjarri, në moshën 27 vjeçare. Për këtë është i bindur gazetari investigativ kanadez, Ian Halperin, i njohur edhe si shkrimtar e autor dokumentarësh. Ai po sfidon të venë e Cobain-it, aktoren e këngëtaren e njohur, Courtney Love që t’i nënshtrohet poligrafit për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth vdekjes së Cobain-it, në vitin 1994.

Këtë e quan një shans, për të hedhur dritë pas shumë vitesh spekulimesh për rrethanat e vdekjes që tronditi fansat e jo vetëm. Halperin beson se libri i tij i ri me titull: “Rasti i mbyllur: Vrasja e Cobain: Vrasja dhe mbulimi i Kurt Cobain”, paraqet një argument bindës se “artisti nuk e vrau veten”.

Teksa heton atë që zyrtarisht cilësohet vetëvrasje e Kurt Cobain-it dhe këtë e bën nga mesi i viteve ’90, gazetari thotë se ka zbuluar prova të reja që sipas tij, “tregojnë se drejtuesi i Nirvanas u vra”. Ndërkaq, ai beson se një test i suksesshëm i detektorit të gënjeshtrës do të ndihmojë në pastrimin e emrit të 58-vjeçares Love pas gati tre dekadash dyshimi nga disa njerëz të guximshëm të Nirvanas dhe shumë pikëpyetjeve rreth asaj që ndodhi në të vërtetë.

Cobain, i cili ishte përdorues heroine u gjet i vdekur në një dhomë në shtëpinë e tij, në Lake Washington të Seattle-it, më 5 prill 1994. Pranë tij u zbulua pushka e gjahut që e vrau, ndërsa plumbi i kishte goditur kokën.

Pavarësisht se mjeku dhe Departamenti i Policisë së Seattle-it raportuan për “vetëvrasje”, teoritë se Love mund të ketë luajtur rol në vdekjen e bashkëshortit kanë vazhduar në dritën e mospërputhjeve të dukshme në prova.

Në një intervistë ekskluzive për “The US Sun”, Halperin tha:

Në librin tim, pa u lëkundur tregoj se policia e kishte një mijë për qind gabim dhe se ishte vrasje. Vendimi duhet të ndryshojë nga vetëvrasje në vrasje. E gjitha kjo mbështetet në provat mjeko-ligjore, prova të reja që kam nxjerrë. Unë nuk po akuzoj askënd për vrasje, por sfidoj Courtney-n, që më në fund të bëjë një poligraf (opsion teknik, i përdorur nga zyrtarët e zbatimit të ligjit). Unë do të paguaj për të pastruar emrin e saj.