Celebrities Live From Tirana Music Showbiz

Gjithçka rreth albumit të saj të ri, një intervistë “alla Aurela Gaçe” ekskluzivisht për TAR!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar këngëtarja e njohur dhe shumë e dashur për publikun shqiptar, Aurela Gaçe për të na folur për albumin e ri të dyfishtë, të titulluar “Unike…Me taban”. Sa i përket këngës së parë të albumit të titulluar “Veten dua gjallë”, sa të gjallë e do veten Aurela?

Sot më shumë se kurrë, jam mama e dy vajzave dhe dua të jetoj shëndetshëm më shumë se kurrë. Nëse dje nuk e mendoja, jetoja për ëndrrat e mia, sot kuptoj që jeta nuk rrotullohet vetëm rreth plotësimit të një ëndrre por ka shumë më shumë se kaq. Sot kam arsye shumë të forta për të jetuar. Kam pasur momente kur mund të jem njohur me njerëz që të bëjnë të ndjehesh keq dhe kjo këngë i kushtohet të gjitha grave. Kjo është thirrja ime për të gjitha gratë, mos qëndroni pranë njerëzve që ju bëjnë të ndjeheni më pak se sa ju e meritoni.

Çfarë ka ndryshuar nga Aurela e vitit 2012, viti kur nxorri dhe albumin e parafundit të titulluar “Paraprakisht”?

Nganjëherë më duket se nuk ka ndryshuar asgjë. Unë përpiqem të krijoj shumë, të sjellë shumë. Kam kuptuar që njeriu në thelb mbetet i pandryshueshëm. Kam pasur debat me nje producent të ri sepse kanë një ide të gabuar se si duhet të vijë një artist me një moshë të caktuar. Më tha: ‘ti duhet të bësh këtë gjënë, ti duhet të bësh kështu gjërash, të këndosh jo në nota sepse kështu është moda’ dhe më tregon karaktere të ndryshme të muzikës dhe i them: ‘më fal kur dëgjon Celine Dion a dëgjon që ajo kërkon të bëhet Britney Spears?’. Unë nuk dua ta humbas Aurelën, sepse dhe njerëzit për këtë më kanë dashur. Unë eksperimentoj shumë por prapë jam Aurela. Unë nuk duroj të jem ujë i ndenjur. Unë dua të jem det me dallgë.

Ndërkaq, si ka lindur “Lento Lento” dhe cilat janë disa nga prapaskenat e videoklipit?

Sa e dëgjova më tërhoqi menjëherë, në fillim ishte pa tekst, vetëm vijë melodike, e ndërtuar deri dikur dhe më tërhoqi menjëherë. Ky ritëm, kjo minikëngë që ishte në atë moment, më tërhoqi dhe thash këtë nuk e kam akoma. Jam një recituese e mirë dhe dua t’i hyjë fëmijëve në zemër sepse e di që i pëlqen edhe fëmijëve kjo këngë. Ne xhiruam në ditën më të nxehtë të verës në Vlorë, djersitesha dhe më binin kaçurrelat. Futesha në një lokal i thaja, i bëja prap kaçurrela, hiqja rrobat, i thaja me tharëse dhe i vishja prap. Të gjithë më prisnin në diell, xhiroja çerek ore dhe futesha prapë në lokal.(qesh)