Bota Music

Goditja e rradhës për Rusinë vjen nga “Universal Music Group”!

“Universal Music Group” ka pezulluar së fundmi të gjitha veprimtaritë e saj në Rusi. Kompania në një deklaratë për “Variety” u shpreh se:

Në fuqi menjëherë, ne po pezullojmë të gjitha veprimtaritë në Rusi dhe po mbyllim zyrat tona atje. Ne bëjmë thirrje për t’i dhënë fund dhunës në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne po u përmbahemi sanksioneve ndërkombëtare dhe së bashku me punonjësit dhe artistët tanë, kemi punuar me grupe nga një sërë vendesh (përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Poloninë, Sllovakinë, Gjermaninë, Republikën Çeke dhe Hungarinë) për të mbështetur përpjekjet e ndihmave humanitare për të sjellë ndihmë urgjente për refugjatët në rajon.

Një burim ka treguar për revistën se punonjësit e kompanisë do të vazhdojnë të marrin pagat e tyre për një kohë të papërcaktuar. Të tre shtëpitë diskografike Universal, Sony dhe Warner kanë kompani dhe veprimtari në Rusi. Edhe pse përfaqësuesit e Sony dhe Warner nuk kanë dhënë menjëherë një koment, burimet thonë se të dyja kompanitë ka të ngjarë të shpallin vendimet për statusin e tyre në vend brenda 24-48 orëve. Të treja kompanitë kanë bërë donacione për përpjekjet e ndihmës në Ukrainë.

Sjellim në vëmendje se së fundmi janë konfirmuar tre viktima nga bombardimet ruse në një spital fëmijësh e në maternitetin e Mariupolit në Ukrainë. Mes atyre që humbën jetën është edhe një vajzë e vogël ndërsa u plagosën 17 persona. Ukraina kërkon ngritjen e një gjykate speciale për të hetuar krimet ruse të luftës. Prokurorja e Përgjithshme, Iryna Venediktova bëri thirrje për një “model të ri” në përpjekjet për hetimin e krimeve të dyshuara të luftës në Ukrainë. Ndërkohë, 39 vende i janë bashkuar padisë së Kievit kundër Moskës, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.