Aktualitet

Hetime skandalit me publikimin e pagave të mbi 637 mijë shqiptarëve!

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për Drejtorinë e Tatimeve dhe Sigurimet Shoqërore lidhur me skandalin e fundit, publikimin në rrjetet sociale të pagave të mbi 637 mijë punonjësve në sektorët publik e privat. E jo vetëm kaq, aty tregohet edhe numri i kartës së identitetit e vendi ku punojnë, duke i bërë të aksesueshme të dhënat personale.

Për këtë shkelje flagrante të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë, dyshohet se informacioni mund të ketë rrjedhur nga Drejtoria e Tatimeve e Sigurimet Shoqërore. Por, nuk përjashtohet mundësia që të jetë ndërhyrë nga jashtë në serverat e dy institucioneve. Nëse verifikohen ndërhyrje në servera, ato do të sekuestrohen.

Rrjedhja e këtyre të dhënave, gjithashtu rrezikon vjedhjen e identitetit apo abuzimet në rrjetet financiare e bankare nga përfitues për qëllime kriminale e hakera.

Lista i përket muajit janar 2021, ku nga të dhënat, rreth 40 mijë persona kanë të ardhura nga 100 mijë deri në 2 milion lekë në muaj, 59 të tjerë nga 2 milion në 4 milion lekë.

Opozita reagoi. Për nënkryetarin demokrat, Enkelejd Alibeaj, “publikimi i të dhënave për pagat është pjesë e skemës së patronazhimit” e ndërsa akuzon kryeministrin Rama se “nxorri në pazar rrogat e shqiptarëve”, kërkon dorëheqjen e tij.

Sot, ne të gjithë jemi ndodhur përballë një skandali të përmasave të jashtëzakonshme. Qeveria e Edi Ramës ka nxjerrë në pazar pagat e mbi 630 mijë qytetarëve, shtetas shqiptarë dhe të huaj që punojnë në Shqipëri.  Të dhënat personale dhe sensitive të mbi 630 mijë qytetarëve gjenden sot të publikuara në rrjetet sociale dhe në duart e çdokujt që përdor aplikacionin e whatsapp-it.

Qeveria e Edi Ramës ka dështuar plotësisht të mbrojë të dhënat personale dhe sensitive për pagat, numrin personal të identifikimit, vendin e punës të mbi 630 mijë qytetarëve.

Partia Demokratike beson se publikimi i të dhënave për pagat e mbi 630 mijë qytetarëve  është pjesë e të njëjtës skemë patronazhimit të përdorur nga Partia Socialiste për blerjen e zgjedhjeve.  Të gjithë e dimë, se pak javë para zgjedhjeve, të dhënat personale të më shumë se 900 mijë qytetarëve, të cilat disponohen vetëm nga qeveria, u keqpërdorën nga kreu i qeverisë Edi Rama për të blerë mandatin e tij të tretë.

Për ne, nuk ka asnjë dyshim se lista e publikuar sot, që i përket pagave të marra të mbi 630 mijë qytetarëve në janar 2021, pak javë para zgjedhjeve, është pjesë e strategjisë së partisë-shtet për përdorimin e informacioneve sensitive për qëllime elektorale. Sot paga dhe të dhënat sensitive të mbi 630 mijë qytetarëve janë në Pazar për shkak të një shteti të rënë në duart e militantëve partiakë, që Edi Rama i përdor për pushtetin e tij personal.

Sot çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë duhet t’i kërkojë Edi Ramës të japë dorëheqjen. Të dhënat e tyre personale, paga e tyre ka rënë në duart e keqbërësve dhe për këtë përgjegjës është vetëm Edi Rama me etjen e pangopur për pushtet.

Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi për këtë skandal të përmasave të jashtëzakonshme! Si mbrojtësi dhe frymëzuesi kryesor i skemës së paligjshme të patronazhimit për blerjen e pushtetit, qeveria e tij ka ekspozuar ndaj kujtdo të dhënat e qytetarëve, përfshi pagën dhe vendin e tyre të punës.

Edi Rama sot duhet të japë Dorëheqjen! Drejtësia duhet të veprojë sa nuk është vonë! Një pushtet i vjedhur duke keqpërdorur  shtetin nuk duhet dhe nuk mund të mbahet dot gjatë në këmbë.