Bota Health & Beauty

Jepet alarmi, bota numëron mbi 1 miliard persona obezë!

Më shumë se një miliard njerëz janë duke jetuar me obezitet në gjithë botën, sipas gjetjeve më të fundit të publikuara në revistën shkencore Lancet. Në këto shifra përfshihen rreth 880 milion të rinj dhe 159 milion fëmijë, referuar të dhënave të vitit 2022. Shifra më e lartë është në Tonga, ku 70-80% e të rinjve jetojnë me obezitet.

Ekipet ndërkombëtare të shkencëtarëve kanë thënë se ekziston një nevojë urgjente për ndryshime masive në mënyrën e luftës ndaj obezitetit. Obeziteti mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të shumë gjendjeve serioze shëndetësore, përfshirë ato të zemrës, diabetin e Tipit 2 dhe disa lloje tumoresh.

Ndër gjetjet kryesore të raportit janë se:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në vendin e 10-të në botë për obezitet te burrat dhe në vendin e 36-të për gratë.

Ndërkaq, India zë vendin e 19-të nga fundi për obezitet te gratë dhe të 21-të për burrat.

Studiuesi i specializuar, profesor Majid Ezzati nga Kolegji Imperial i Londrës i tha rrjetit britanik BBC se “në shumë prej këtyre vendeve, janë dy mundësi që lidhen me aksesin në ushqim të shëndetshëm, si dhe ushqimi i pashëndetshëm”.

Në disa raste kemi parë fushata agresive të marketingut, duke promovuar ushqime të pashëndetshme, teksa çmimi dhe aksesi në ushqimet e shëndetshme mund të jenë më problematike.

Në krahasimin mes vitit 1990 dhe 2022 u arrit në përfundimin se shkalla e obezitetit është katërfishuar në mesin e fëmijëve dhe të adoleshentëve. Sa u përket të rriturve, norma është më shumë se dyfish më e madhe te gratë dhe gati trefish më e madhe te burrat.

Ndërkohë, përqindja e të rriturve që konsiderohen nënpeshë ka rënë me 50%. Por, studiuesit kanë thënë se edhe kjo pikë është problematike, sidomos në vendet e varfra.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus ka thënë se “ky studim i ri shpërfaq rëndësinë e parandalimit dhe menaxhimit të obezitetit prej moshës së hershme përmes dietave, aktivitetit fizik dhe kujdesit të duhur”.

Rrjeti me mbi 1 mijë e 500 studiues ka bashkëpunuar me OBSH-në, si dhe ka analizuar gjatësinë e peshën e rreth 220 milion njerëzve mbi moshën pesëvjeçare.