Design Lifestyle

Ju njohim me trendin më të ri, sallonin në “gropë”!

Dizenjimi i brendshëm i shtëpive mund të jetë shumë argëtues. Gjithmonë je në kërkim të diçkaje të re, eksperimentimit me ngjyrat, kombinimeve në stil apo ndërrimit të mobilijeve. Sigurisht që kjo varion dhe nga hapësira që ka çdo shtëpi. Nëse jeni një nga ata ‘fatlumë’ që keni një hapësirë të madhe në shtëpinë tuaj, atëherë ky artikull është ai që ju duhet.

Trendi më i ri që po qarkullon më së shumti në rrjet është salloni në “gropë”. Ashtu siç e lexuat! Një sallon ndenjeje në gropë. Me siguri që edhe ju i keni parë në Instagram shtëpi të tilla me këtë lloj stili, por tashmë mund ta keni dhe ju një të tillë. Mbani shënim dhe nëse dëshironi që të jeni dhe ju sa më ‘In’, ne po ju paraqesim disa modele që do t’ju nxisin dëshirën të ri-arredoni sallonin tuaj.

1.Për ata që duan të kombinojnë dhomën e gjumit dhe sallonin në një të vetme.

E kush nuk do të dëshironte që të rehatohej duke parë një film të mirë dhe duke u relaksuar në kolltuk. Për ata që nuk e dëshirojnë televizorin në dhomën e gjumit, kjo është zgjidhja perfekte. E ku ka më mirë, një shtrat gjigant, njëkohësisht edhe një divan gjigant. Nuk do ta njihni më lodhjen.

2. Për të apasionuarit pas ngjyrës së zezë.

Ngjyra e zezë tregon shumë stil dhe është gjithnjë në modë. Por të arrish të mobilosh shtëpinë tënde me këtë ngjyrë, kjo kërkon shumë guxim. Megjithatë ka nga ata që dinë si të dallojnë nga të tjerët, sigurisht për mirë. Një tjetër avantazh i këtij stili është se do krijojë përshtypjen e një stili t1% shtrenjtë edhe nëse nuk keni shpenzuar shumë.

3. “Kinemaja” e shtëpisë.

Ky model të jep përshtypjen e një kinemaje personale në shtëpinë tuaj. Pozicionimi i sallonit dhe vendosja e një monitori të madh televizori përballë , e bën këtë shumë të veçantë dhe argëtues. Miqtë tuaj do të duan t’ju vizitojnë më shpesh.

4. Stili minimalist.

Nëse nuk dëshironi shumë ekzagjërime, ky është stili që ju përshtatet. Nuancat e të bardhës qëndrojnë gjithmonë brenda kornizës së klasikes, por nuk janë kurrë të mërzitshme.

5. Për ata që dashurojnë natyrën.

Ky është një model që kërkon shumë guxim, por nuk gabon kurrë. Pak kush mund të zgjidhte që shtëpinë e tij ta shndërronte në një “xhungël tropikale”, por për ata që duan natyrën do të jetë një sallon i vërtetë ëndrrash. Kombinimi i bimëve, gjetheve dhe materialit të drurit, të jep ndjesinë se je në një ambient të jashtëm në pyll.

6. Për shtëpitë me xhama.

Nëse shtëpia juaj, aq më tepër salloni, është i rrethuar nga xhama, ky është modeli që do t’ju përshtatet më së shumti. Nuk duhet të eksperimentoni shumë, pasi e thjeshta do të qëndronte më mirë në këtë sallon. Një dhomë ndenje perfekte për ata që duan kohë të meditojnë.

7. Një sallon për ‘të pasurit’.

Ky tip salloni të krijon përshtypjen e një shtëpie që mund ta shihni vetëm nëpër filma apo tek ata që janë shumë të pasur. Por këtë mund ta kemi fare thjesht edhe secili prej nesh. Nëse doni që të ‘mburreni’ tek fqinjët me sallonin tuaj të ri, ky është ai që ju duhet.

8. Salloni veror.

Ky sallon është për ata që kanë një shtëpi pushimi verore. Minimaliste, e këndshme dhe e thjeshtë por e bukur për syrin.

9. Sallon në “gropë” dhe oxhak.

Ky lloj modeli i thjeshtë preferohet shumë. Gjithashtu është dhe oxhaku përballë që i jep veçantinë e vet. Një sallon ideal për periudhën e dimrit.

10. Për sallone pa shumë hapësirë.

Nëse salloni juaj nuk është shumë i madh në sipërfaqe, mund të provoni këtë stil. Ky ju lejon që të keni dhe ju një sallon në “gropë”, ndoshta jo aq madhështor sa të tjerët, por ende mbetet shumë i preferuar.