Sport

“Katar 2022”, befason Irani/Pas humbjes së thellë me Anglinë, triumfon ndaj Uellsit, shanse për kualifikim!

Surprizë e madhe në Botërorin “Katar 2022”. Në Grupin B, Irani fitoi 2-0 ndaj Uellsit e tashmë i shton ekipit mundësitë për kualifikim, pasi ka tre pikë. Uells-Iran ishte e para përballje për sot në këtë ditë të ndeshjeve të dyta të fazës së grupeve. Kombëtarja ishullore kërkonte fitoren e parë pas barazimit 1-1 në start ndaj Shteteve të Bashkuara, ndërsa Irani ia doli të reagonte pas humbjes së thellë 6-2 ndaj Anglisë. Temperaturat arritën deri në 29 gradë Celsius kur Uellsi luajti me Iranin, në stadiumin “Ahmad Bin Ali” me kapacitet 40 mijë persona.

Të tjera përballje janë Katar-Senegal në Grupin A, që nisi të luhet ndërsa po në Grupin A, pasdite më 17:00 ndeshen Holandë-Ekuador. Përballja tjetër e Grupit B është ajo mes Anglisë dhe SHBA, që fillon prej orës 20:00 të mbrëmjes.

Tifozëve iu ndalohet të vishen si kryqtarë në ndeshjen  Angli-SHBA, e vlefshme për Kupën e Botës në Katar. “Tifozë të veshur me zinxhirë, me shpata plastike dhe mburoja me kryqin e Shën Gjergjit ndalohen të hyjnë në stadiumin Al Bayt, në Al Khor”, sipas “The Times”. Gazeta citoi FIFA-n të shprehej se në kontekstin arab, idea e kryqtarëve mund të jetë ofenduese kundër myslimanëve.

Grupi kundër diskriminimit “Kick It Out” këshilloi fansat që të mos vishnin kostume me veshje të bukura që përfaqësonin kalorës ose kryqtarë e që kujtojnë luftërat fetare të të krishterëve kundër myslimanëve gjatë Mesjetës.

Ne do t’i këshillonim tifozët që po ndjekin ndeshjet e Kupës së Botës që veshje të caktuara, të tilla si kostumet që përfaqësojnë kalorës apo kryqtarë, nuk mund të mirëpriten në Katar dhe vende të tjera myslimane.

Një video e shpërndarë në Twitter tregonte dy persona me kostume kryqtarësh që dukej se po largoheshin nga hyrja në një stadium të Katarit, nga stafi i sigurisë. Federata e Futbollit e Uellsit i kërkoi FIFA-s t’i përmbahej mesazhit se “të gjithë do të jenë të mirëpritur” në Katar gjatë turneut, pasi java e parë u dëmtua nga trajtimi i simboleve LGBTQ+.