Albumi i ri i reperit Kendrick Lamar, “Mr.Morale & The Big Steppers,” mund të mos ketë dalë ende por duket se fëmija i tij i dytë ka ardhur. Reperi 34-vjeçar me sa duket konfirmoi në kopertinën e publikimit të tij të pestë se ai dhe e fejuara e tij, Whitney Alford, mirëpritën fshehurazi fëmijën e dytë.
Në foton familjare, të publikuar në Instagram, fituesi i “Grammyt” mban në dorë vajzën e tij 2-vjeçare, emrin e së cilës nuk e ka zbuluar ende. Vogëlushja shihet në krah të babait të saj me një kanotjere të bardhë, ndërsa Lamar mban një kurorë në kokë me një armë të futur në pantallonat e tij. Në sfond, partnerja e tij Alford shihet e ulur në një shtrat duke ushqyer foshnjen e porsalindur.
Rikujtojmë, se çifti, i cili filloi lidhjen në shkollën e mesme dhe konfirmoi fejesën në vitin 2015, nuk kishte njoftuar më parë se do të zgjeronte familjen e tyre. Vajza e tyre e parë lindi në korrik 2019.